Bajrami: Ndërhyrësit nga Interneti Janë në Pushim

Gjatë vizitës në Shkollën “Gjin Gazulli” të Prishtinës derisa po zhvillohej testi i maturës, ministri i arsimit Arsim Bajrami tha se ndërhyrësit nga interneti në këtë test si duket janë në pushime.

“Urojmë të kemi sa më pak lëshime, si duket ata që janë tradicionalisht për ndërhyrje në internet dhe facebook siç duket janë në pushime. Matura sivjet është e suksesshme, tradicionalisht kemi disa përpjekje për të ndërhyrë,” tha ministri.

Bajrami zhvillimin e testit në Shkollën e Mesme Teknike “Gjin Gazulli” e vlerësoi si model për shkollat tjera.

“Atëherë po sa ka filluar afati i dytë i maturës shtetërore nga vëzhgimi e bëra në Shkollën e Mesme ‘Gjin Gazulli’ po shihet që gjithçka është në rregull ky model i kësaj shkolle duhet të jetë edhe në shkollat e tjera.  Tani e kemi më lehtë sepse kemi vetëm 8.500 nxënës,” tha Bajrami.

Ai duke treguar se në Kosovë aktualisht veprojnë 7 universitete dhe 24 kolegje tha se asnjë maturant nuk do të mbetet pa shkollim të lartë.

Megjithatë Bajrami tha se disa nga maturantët është mirë të gjejnë punë.

Siguroj që asnjë maturant i Kosovës nuk do të mbetet pa qasje në arsimin e lartë. Ka vend për të gjithë por uroj që një pjesë e tyre të punësohen që të mos kenë nevojë të jenë në arsim të lartë, të punësohen jo të gjithë të bëhen akademikë,” tha Bajrami.

KALLXO.com edhe sot monitoroi pjesën e parë të afatit të dytë të testit të maturës.