Bajrami: KEDS Ka Marrë Obligime t’u Shërbejë Qytetarëve

Në një takim ku u diskutua për problemet e furnizimit të rregullt dhe cilësor me energji elektrike, ministrja Hykmete Bajrami kërkoi nga KEDS-i që të jetë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, pasi sipas saj, ka marrë obligime për këtë gjë.

“KEDS nuk mund të sillet si cilido operator tjetër privat në ekonominë e tregut, për shkak se ka marrë obligime që t’u shërbejë qytetarëve dhe bizneseve, normalisht duke mos neglizhuar këtu edhe fitimet e tyre, por ZRRE-ja është për të siguruar që politikat e KEDS-it nuk dëmtojnë asnjëherë qytetarët dhe bizneset e Kosovës,” tha Bajrami.

Takimi i sotëm u organizua nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa në të morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, institucioneve tjera dhe komunitetit të biznesit.

Ministrja Bajrami më tutje tha se zhvillimi ekonomik nuk duhet të varet nga kompanitë që furnizojnë me energji, ose rregullojnë këtë sektor.

“Askush nuk e ka të drejtën që të jetë i pavarur dhe të jetë mbi të gjithë duke cenuar dhe duke mbajtur peng zhvillimin ekonomik,” tha ministrja Bajrami.

Muhamet Mustafa, kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri kërkoi përgjegjësi nga ZRRE-ja për situatën e furnizimit me rrymë.

“ZRRE është institucion i pavarur dhe ka përgjegjësi që të ndikojë që standardet e furnizimit me energji elektrike në aspektin e sasisë dhe cilësisë të jenë adekuate gjithashtu edhe çmimet të jenë adekuate dhe të arsyeshme,” tha Mustafa.

Pronarët e bizneseve në takim u ankuan për maxigrafin- një pajisje e vendosur nëpër fabrika nga KEDS-i për stabilizim tensioni, për të cilin thanë se detyrohen të paguajnë më shumë.

Ata ishin edhe kundër tarifave verë-dimër të aplikuara nga KEDS-i, ndërsa shtruan edhe çështjen e trafostacioneve në të cilat investojnë vetë, por pastaj kalojnë në pronësi të KEDS-it, kur këto biznese lidhen në rrymë nga këto trafo.

Biznesmenët kërkuan që ata që paguajnë rregullisht rrymën të mos u kërkohet parapagimi i saj.

Në lidhje me shqetësimet e bizneseve  shpjegime dha Krenar Bujupi  nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ai tha se vendosja e pajisjes së maksigrafit nëpër biznese prodhuese është projekti më i avancuar në Kosovë, ndërsa bëri të ditur se për bizneset është zbritur çmimi i energjisë.

Krenar Bujupi arsyetoi edhe çmimin më të lartë të energjisë gjatë dimrit.

“Nëse Kosova kalon konsumin të cilin ne mund ta ofrojmë atëherë ai konsum duhet të përmbushet nga importi i cili kushton dhe për këtë arsye ka dallim të cmimit në mes të sezonave sepse në sezonën e dimrit përvec që ne e shtojmë konsumin e shtojnë edhe të gjitha shtetet tjera në rajon e në Europë,” tha Bujupi.

Ministri i Zhvilimit Ekonomik Blerand Stavileci në takim falënderoi KEK-un, KEDS-in e KESCO-n që e kryen punën e tyre në kushte të të ftohtit siberian.

Katër ditë më parë KALLXO.com shkroi për kthimin e territ në Kosovë dhe akuzat mes KEK-ut e KEDS-it për këtë çështje.

http://kallxo.com/qytetaret-ne-terr-keds-e-kek-shkembejne-akuza/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri