Bajrami: Gjendja në Arsim nuk Është e Mirë

Arsim Bajrami në mbledhjen e qeverisë foli për rezultatet e Testit PISA që i nxorën shumë keq nxënësit kosovarë.

“Rezultatet e PISA na kanë treguar që gjendja në arsim nuk është e mirë. Apeloj që  dhe arsimi të konsiderohet si prioritet edhe në politikat financiare,” tha Arsim Bajrami.

Edhe Kryeministri Mustafa foli pas daljes së këtyre rezultateve.

“Është fakt që na tregon që ne duhet të bëjmë shumë më shumë në këtë drejtim. Pajtohem t’i mobilizojmë të gjitha fondet e nevojshme,” tha Mustafa.

Më pas Arsim Bajrami para kabinetit qeveritar prezantoi Planin Strategjik të Arsimit 2017-2021, i cili u miratua.

“Prezantoj para jush Planin Strategjik të Arsimit 2017-2021, i cili është në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për zhvillim. Ka 3 shtylla: gjithëpërfshirja, cilësia dhe llogaridhënia,” tha Mustafa.

KALLXO.com shkroi dje për rezultatet e testit PISA.

http://kallxo.com/testi-pisa-77-e-nxenesve-15-vjec-sdine-lexim/

Në mbledhjen e qeverisë,  ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj propozoi që të ridërgohet në Kuvend Projektligjin për Themelimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor, pasi të hënën e kaluar nuk i pati votat e mjaftueshme.

Kjo marrëveshje sipas Hoxhajt është arritur më 13 nëntor 2015 në Pragë dhe ka për qëllim mbështetjen dhe prezantimin e përbashkët të shteteve pjesëmarrëse në shtetet e treta.

Për këtë fond Hoxhaj kërkoi të ndahen 30 mijë euro, ndarje e cila u miratua nga qeveria.