Ministri Arsim Bajrami pret garuesit e Olimpiadës Botërore të Matematikës - Foto: KALLXO.com

Bajrami: Garuesit e Olimpiadës, Ambasadorë të Kosovës

Nxënësit kosovarë që morën pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, të mbajtur në Hong Kong, janë pritur nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Në këtë garë, Doruntina Sylejmani ka zënë vendin e tretë, duke e fituar medaljen e bronztë, ndërsa Shend Zhjeqi e Arbër Avdullahu kanë marrë medalje nderi.

Ministri Bajrami tha se këta matematikanë janë ambasadorë të vërtetë të Kosovës, sepse e përfaqësuan vendin me dinjitet.

“Këtu kemi nxënësit të cilët janë ambasadorë të vërtetë të Kosovës sepse këta kanë përfaqësuar me shumë dinjitet, duke treguar se ne kemi rini inteligjente, kemi nxënës shumë të mirë dhe jemi të kënaqur dhe krenar me ta. Ne kemi fituar medaljen e bronztë, medaljen e tretë në mesin e 109 shteteve, ku kanë marrë pjesë më shumë se 600 pjesëmarrës”, tha Bajrami

Ai shtoi se Ministria e Arsimit do t’i përkrahë nxënësit të cilët kanë inteligjencë në matematikë.

“Ministria e Arsimit në vazhdimësi do t’i përkrahë këta nxënës, sidomos nxënësit që kanë inteligjencë në matematikë, do t’i stimulojmë për shkak se suksesi në fushën e matematikës tregon suksesin e përgjithshëm të nivelit arsimor”, shtoi ministri Bajrami.

Më tej, ministri premtoi përkrahje për nxënësit që do të marrin pjesë në olimpiadën e ardhshme të matematikës, e cila do të mbahet në Rio de Janeiro.

Ndërsa, profesori I Matematikës, Ramadan Limani tha se ky sukses i nxënësve ka qenë më i miri në pesë vitet e fundit.

“Ky ka qenë një sukses jashtëzakonisht i mirë për ekipin tonë gjatë këtyre 5 olimpiadave që i kemi mbajtur. Por, ky është një rezultat i matematikës kosovare në përgjithësi dhe i arsimit në Kosovë. Me këtë ka fituar matematika, rrjedhimisht edhe arsimi në Kosovë”, tha Limani.

Ndërsa, fituesja e medaljes së bronztë, Doruntina Sylejmani, tha se është ndjerë shumë mirë me suksesin.

“Të fitosh një medalje, medaljen e parë për Kosovën në olimpiadën më prestigjioze në botë patjetër që ka qenë një ndjenjë e mirë. Kam qenë shumë e inkurajuar dhe kam dëshirë që kjo medalje të jetë një shtysë sa më e madhe për garuesit, për profesorët, gjithashtu edhe për institucionet që ta përkrahin sa më shumë matematikën dhe zhvillimin e saj”, tha ajo.

Nxënësve që morën pjesë në Olimpiadën e Matematikës në Hong Kong iu ndanë mirënjohje dhe ministri Bajrami tha se Ministria do t’u ndajë edhe bursë.

Po ashtu, Arsim Bajrami tregoi se Ministria e Arsimit ka krijuar një fond për Shoqatën e Matematikanëve të Rinj të Kosovës.