Foto: Komuna e Mitrovicës

Bahtiri në Prekaz: Të Bëhemi Bashkë për të Mirën e Vendit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri së bashku me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës Selim Pacolli dhe deputetin Islam Pacolli kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Delegacioni, sipas një komunikate të Komunës së Mitrovicës është pritur nga Rifat Jashari dhe pjesëtarë tjerë të familjes Jashari.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri te Jasharët tha se duhet punuar për të mirën e vendit.

“Sot më shumë se kurrë të gjithë duhet të bëhemi së bashku për të mirën e vendit tonë dhe të kujtojmë sakrificën dhe veprën e familjes Jashari dhe trimave të tjerë, të cilët e shkruan historinë e vendit”, tha Bahtiri.

Përveç nderimit në Prekaz, zyrtarët e Komunës së Mitrovicës kanë zhvilluar homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve në Shipol.