Një i dyshuar për rastin "Badovci" sillet në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

‘Badovci’ në Apel

Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohet sot dënimi i të akuzuarve në Rastin “Badovci”.

Ankesë për dënimet e pesë personave që te liqeni i Badovcit tentuan t’i shfaqin besnikëri ISIS-it kishte bërë prokurorja Drita Hajdari.

Më 19 korrik Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me më shumë se 18 vjet burg pesë të akuzuarit e këtij procesi, por prokurorja pretendon se ata duhet të dënohen më shumë.

Atëherë Besnik Latifi ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj e Enis Latifi me nga 3 vjet e 6 muaj. Fehmi Musën gjykata e kishte dënuar me 3 vjet burg.

Pesë të akuzuarit ishin dënuar edhe në korrik të vitit 2016, me dënime shumë më të rënda.

Vitin e kaluar Besnik Latifi qe dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet dhe Fehmi Musa me 4 vjet.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

Por pas ankesave, Gjykata Supreme Rastin Badovci e kishte kthyer në rigjykim.

http://kallxo.com/rasti-badovci-kthehet-ne-rigjykim/

Sipas aktakuzës, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.