‘Bac, u Kry’, Flet Njëri nga Autorët e Sloganit

Tre shokë po bisedonin mes vete se si ta shënonin shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e cila pritej të shpallej pas disa javëve.

Të etur për të krijuar një vepër, në mendjet e tyre qëndronte portreti i komandantit legjendar, Adem Jashari.

Vendosën për dizajnin dhe për formën se si do ta përdornin portretin e komandantit, por ju duhej edhe një slogan, diçka që do t’i bënte nderë figurës së tij.

“BAC, U KRY!”, është slogani që lindi si një thirrje e ndërgjegjes për tre shokët, Muhametin, Krenarin dhe Besnikun.

Për krijuesin e sloganit “BAC, U KRY!”, Muhamet Jashanica është vërtet emocionuese kur kujton atë kohë.

Më 15 shkurt të vitit 2008, ditë e premte, slogani ekspozohen në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, për t’u bërë një ndër sloganet më të fuqishme që ka vendi.

“Kur e kompletuam e gjitha doli një vepër shumë e fuqishme dhe po mendoja që do të ishte mëkat nëse e mbajmë vetëm për vete. Vendosëm që ta ekspozojmë në sheshin kryesor të Prishtinës dhe tashmë “BAC, U KRY!” nuk ishte vetëm e jona, ishte e të gjithëve që mendonin njësoj si ne”, tha Jashanica.

Ai tregon për rtv21.tv se nuk besonte që slogani do të adhurohej aq shumë nga qytetarët.

“Artistët krijojnë dhe gjëja më e mirë është që punën e tyre ta publikojnë pa marr parasysh rrezikun se si ka me u prit nga publiku. Njësoj ndodhi edhe me punën tonë. Pothuajse nuk ka pasur shqiptar në të gjitha trevat dhe në diasporë që atë ditë nuk ka thënë “BAC, U KRY”. E kanë printuar, e kanë vizatuar, e kanë bartur në bluza, por mbi të gjitha e kanë mbajtur në zemër. Kanë uruar me këtë slogan Pavarësinë e vendit. Njësoj si ne edhe të tjerët në mendje i kanë pasur dëshmorët, ata që dhanë më së shumti, pra jetën, vetëm e vetëm që ne të jemi të lirë”, shtoi Jashanica.

Tani, dhjetë vjet më vonë, Muhameti i qëndron besnik kuptimit të sloganit të tij.

Thotë se Kosova është njohur ndërkombëtarisht dhe çdo ditë e më shumë po e lartëson imazhin e saj.

“Unë gjithmonë e kam potencuar se është kry një epokë, pra ne sot e festojmë 10 vjetorin e Pavarësisë dhe ky është një fakt. Kosova është e njohur ndërkombëtarisht dhe çdo ditë e më shumë po lartëson imazhin e saj. Ndërsa sa i përket kësaj pyetjes së shpeshtë tashmë se a u kry, me të vërtetë apo jo? Një gjë është e sigurt Serbia nuk kthehet më këtu, këtë po e them edhe tash, dhe e kam thënë edhe përmes sloganit. Nëse bëjmë një rrumbullakim të gjendjes politike, ekonomike e sociale, mendoj që këtu mund të shtroj shumë pyetje: A është punuar mjaft? A është punuar mirë? A është rritur mirëqenia e qytetarëve? A ka mundur të bëhet edhe më shumë? Unë mendoj që po ka mundur të bëhet edhe më shumë. Presim që në të ardhmen kjo të ndodhë dhe besoj që duhet një menaxhim i mirë i shtetit. Duhet ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë, për neve dhe brezat e ardhshëm”.

Nuk mundëm ta përfundojmë këtë intervistë me Muhametin, pa e pyetur se tash 10 vjet pas publikimit të “BAC, U KRY!”, a do ta krijonte të njëjtin slogan.

Ai tha se nëse nuk do ta krijonte në vitin 2008, patjetër që do ta krijonte tani në vitin 2018.

“Ky slogan nuk vdes si punim artistik, është aktual edhe sot. Ky slogan ka pasur vetëm një qëllim, falënderimin për të gjithë të rënët dhe të gjallët që kapën pushkën, ata aktivistët politik, mësuesit që shkolluan breza të shumtë në kohë të vështira. Këtë falënderim e bëjmë edhe sot, dhe unë besoj që duhet t’i respektojmë të gjithë ata që fal tyre ne sot jemi të lirë”, përfundon Jashanica.

Jashanica është punëtor i Radio Televizionit 21. Ai është i angazhuar edhe në redaksinë e portalit.