Pal N. Lekaj, djaloshi që prej dje nuk u kthye në shtëpi | Foto: Facebook

Babai Apelon T’i Ndihmohet për ta Gjetur Djalin

15 vjeçi Pal N. Hiseni, i cili që nga dita e djeshme nuk u kthye në shtëpinë e tij në Nec të Gjakovës është djali i asamblistit të AAK-së në Gjakovë, Nikë Hiseni.

Hiseni për KALLXO.com tregoi se djali i tij u pa së fundi nga nxënësit tjerë, 10 minuta parasë të niste mësimin.

“Djali im dje ka udhëtuar me makinë me bashkëshorten time nga Neci deri ne qytet dhe e ka lanë në Rrugën ‘Gjon Nikollë Kazazi’ rreth orës 12:00. Në ora 13:00 ka pas me fillu mësimin. Nxënësit thonë që 10 minuta para orës 13:00 e kanë takuar pa shku te shkolla dhe nga ai moment nuk është parë më”, tregoi Hiseni.

Ai bëri të ditur se telefoni i djalit të tij është i mbyllur nga dita e djeshme në orën 12 e 33 minuta.

“Telefoni i tij është mbyllur në ora 12:33 dhe ma nuk kemi kurrfarë informacioni”, tha asamblisti Hiseni.

Ai deklaroi se djali i tij është “shumë i urtë dhe nuk kishte probleme me ndokënd”.

“I kam kontaktuar krejt shoqërinë e tij, nuk kemi kurrfarë informacioni se ku gjendet. Ne si familje nuk e dimë që djali jonë të ketë pasur ndonjë problem me dikë, njihet si shumë i urtë”, e përshkroi karakterin e djalit të tij babai i brengosur.

Nikë Hiseni, kërkoi informacione nga ata që mund ta kanë parë djalin e tij, duke treguar çfarë kishte të veshur në ditën e djeshme.

Ju kisha lutë me ba një publikim në të gjitha mjetet që i keni në dispozicion, unë jam prindi i tij Nikë Hiseni asamblist i AAK-së në mënyrë që nëse din dikush diçka për djalin tim të lajmërohet, ka pasur të veshur xhaketë, pantallona dhe këpucë me ngjyrë të gjelbër”, tha Hiseni.

Pal N. Hiseni, po konsiderohet nga policia person i zhdukur, ndërsa forcat e rendit i kanë vetes prioritet gjetjen e tij.