Azem Syla në Gjykim e Fatmir Limajt: S'e Di Kush ka Qenë Drejtor i Policisë Ushtarake

Në gjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte është duke dëshmuar edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, i cili është duke u gjykuar për rastin “Toka”

Në dëshminë e tij, ish deputeti i PDK-së, Azem Syla ka deklaruar se nuk e mban mend kur është themeluar Drejtoria e Policisë Ushtarake, sepse siç ka thënë ai, shumicën e kohës ka qëndruar jashtë Kosovës.

“Nuk më kujtohet kur është themeluar Drejtoria e Policisë Ushtarake, shumicën e kohës kam qenë jashtë Kosovës, si zëvendës timin e kam pasur një kohë Sokol Bashotën e më pas Jakup Krasniqin”, tha Syla në dëshminë e tij dhënë para prokurorisë.

Syla thotë se nuk e ka ditur kush ka qenë drejtor i policisë ushtarake në atë kohë.

“Nuk e kam ditur as kush ka qenë drejtor atëherë, më vonë e kam marrë vesh në dhjetor te 98 apo janar të 99 se kush është Drejtor i Policisë Ushtarake, në kohen kur i kemi ba pregatitjet për në Rambuje”, tha tutje Syla në dëshminë e tij.

Dëshmia e Azem Sylës në gjykim e Fatmir Limajt për krime lufte është duke u thënë në cilësinë e komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.