Azem Syla në Polici - Foto: KALLXO.com

Azem Syla Lirohet nga Paraburgimi

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Tomë Gashi, avokati i Azem Sylës.

Edhe Tahir Rrecaj, avokati i Nuhi Ukës deklaroi për KALLXO.com se klienti i tij është liruar.

Vazhdimin e paraburgimit për Sylën e kishte kërkuar prokurori Danilo Ceccarelli, por gjyqtarja Seal e refuzoi atë kërkesë.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Sipas avokatit Bajram Tmava, nga ky grup i të arrestuarve në paraburgim kanë mbetur vetëm Ilaz Syla dhe Lubisha Vujoviq.

Në aksionin e prillit u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet edhe ish-deputeti Azem Syla, i cili u dorëzua në polici dy ditë më vonë.

http://kallxo.com/video-azem-syla-ne-polici/

Që nga paraqitja në polici Azem Syla është mbajtur në paraburgim, ndërsa ndaj tij janë duke u zhvilluar seanca të mundësisë së veçantë hetuese.

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.