Protesta te Gjykata e Apelit, ku u kërkua drejtësi për Zejnepe Berishën – Foto: KALLXO.com

Avokatja: Shteti Nuk e Mori Seriozisht Rastin e Zejnepes

Zejnepe Berisha është vrarë nga bashkëshorti i saj, Nebih Berisha, më 23 tetor 2015.

Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 12 vjet burgim.

Protesta e sotme është organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës në ditën e mbajtjes së seancës së parë në Gjykatën e Apelit.

Nga Apeli pala e dëmtuar dhe prokuroria kanë kërkuar dënim më të lartë për vrasësin e Zejnepe Berishës.

Fehmije Gashi-Bytyqi, avokate e palës së dëmtuar, tha se ka bërë ankesë duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit,

“Kam bërë ankesën lidhur me sanksionin penal duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren ngase konsiderojmë se është dhënë një dënim tejet i ulët në krahasim me pasojat e veprës penale qe i ka shkaktuar i akuzuari”, tha ajo.

Avokatja kritikoi sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ndonëse viktima Zejnepe Berisha kishte lajmëruar disa herë rastin e dhunës në familje, shteti asnjëherë nuk është marrë seriozisht me çështjen e saj.

“Sa është serioz organi i ndjekjes e tregon edhe fakti se Prokuroria e Apelit e ka çu një letë shkrese dy-tre rreshta, ku propozon që të refuzohet ankesa e mbrojtjes dhe nuk ka ardhur në seancë për një vepër të rëndë si kjo”, theksoi avokatja.

Ndërsa, drejtuesja e Rrjetit të Grave, Igballe Rugova, tha se përpos protestave do të jenë brenda institucioneve për të përcjellë rastet e dhunës në baza gjinore.

Për këtë arsye, ajo tha Rrjeti i Grave të Kosovës kanë nisur një projekt të përbashkët me monitoruesit e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

“Për ne është me rëndësi që pos protestave, pos reagimeve të ndryshme të jemi edhe pjese e proceseve. Kemi fillu një projekt bashkëpunimi me BIRN-in, ku BIRN-i ka monitoruesit e tyre që do t’i monitorojnë seancat gjyqësore”, tha Rugova.

http://kallxo.com/rrgk-dhe-birn-fillojne-monitorimin-e-rasteve-te-dhunes-gjinore/