Avokatja e Prokurores Kërkon Fotografitë e Bankënotave

Në seancën e sotme palët paraqitën propozimet e tyre.

Albana Kelmendi, avokatja e të akuzuarës Badivuku kërkoi nga prokurori që t’i sillen si provë fotografitë e bankënotave te konfiskuara nga prokurorja që po gjykohet.

“Ne kërkojmë nga prokurori te na sjellë një provë apo dëshmi nga pika Merdare kur janë konfiskuar bankënotat e klientës sime,” tha avokatja Kelmendi.

Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i te akuzuarit Idriz Kelmendi kërkoi nga prokurori të sillet “ditari i fajdeve” në emër të të akuzuarit Isak Smakolli.

“Ne kërkojmë që të sillet ditari i listës së fajdeve i cili vullnetarisht është dorëzuar në prokurori nga i akuzuari dikur dëshmitar bashkëpunues Isak Smakolli,” tha avokati Berisha.

Ndërsa prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Admir Shala deklaroi se s’ka nevojë që të fotografon bankënotat dhe t’i sillen mbrojtjes.

“Sa i përket propozimit të mbrojtjes së Badivukut, kjo qe po kërkojnë është një kërkesë dëshirë. Sa i përket bankënotave janë dy prova te cilat janë marr konform Kodit te Procedurës Penale, të cilat janë thelbësore dhe s’ka nevojë për fotografime shtesë siç po kërkon mbrojtja,” tha prokurori.

Prokurori e sqaroi edhe punën e atij që avokati Berisha e quajti “ditar të fajdeve”

“’Ditari i fajdeve’ që po thirret avokati nuk është ditar i fajdeve por vetëm një faqe ku shkruan Isak Smakolli,” tha prokurori Shala.

Prokurori pastaj tha se ekziston një procesverbal i policisë për arrestimin e Badivukut.

Vahide badivuku tha se ky procesverbal “është referuar vetëm në dispozitat ligjore që është urgjente që absolut nuk ka të bëjë me asnjë urgjencë”.

Vahide Badivuku, Isak Smakolli dhe Idriz Kelmendi akuzohen nga prokuroria për marrje ryshfeti, keqpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi.

Prokurorja Badivuku akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se përpiloi një kërkesë për lirimin e disa automjeteve të sekuestruara në këmbim të marrjes së ryshfetit.

http://kallxo.com/afera-e-veturave-detajet-pse-vahide-badivuku-u-arrestua/

Dëshmitari Artan Hasani dje tregoi se tri nga veturat për të cilat Badivuku e lëshoi kërkesën për lirimin nga sekuestrimi ishin të familjes së tij.

http://kallxo.com/deshmitari-10-mije-euro-ryshfet-per-lirine-e-familjareve/

Prokurorja Vahide Badivuku ishte arrestuar më 23 gusht të vitit të kaluar, ndërsa aktakuza ndaj saj dhe dy të tjerëve qe ngritur në nëntor 2015.