Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Avokatit Haxhi Çekaj i Ndalohet Hyrja në Gjykatë

Avokati Haxhi Çekaj sot është parë duke hyrë në Gjykatën Themelore të Pejës për të mbrojtur rreshterin e Policisë, Shefqet Kameraj, i akuzuar për vrasjen e Ilmi Lufajt.

Mirëpo, avokatit Çekaj nuk i është lejuar të marrë pjesë në ketë gjykim nga kryetari i Gjykatës, Kreshnik Radoniqi.

Avokatit Çekaj ky vendim i kreut të Gjykatës iu bë i ditur nga personeli recepcionit të Gjykatës.

Para së të hyjë në Gjykatë avokati Çekaj i pyetur nga KALLXO.com rreth kthimit të tij u përgjigj shkurt se do vijë koha kur do flasë. “Vjen koha kur do flas për të gjithat”, tha ai.

Të njëjtën gjë e përsëriti edhe pas vendimit të trupit gjykues për përjashtimin e tij nga mbrojtja e të akuzuarit Shefqet Kameraj.

Në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, njëherazi edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Pejës, tha së  për shkak të procedurave ligjore që po zhvillohen ndaj avokatit Haxhi Çekaj, atij i është ndaluar pjesëmarrja në këtë gjykim.

“Sot në gjykatë është paraqitur avokati Haxhi Çekaj, por për shkak të procedurës penale që po zhvillohet ndaj tij, për të cilën të gjithë jemi në njohuri, unë si kryetar i Gjykatës nuk ia kam lejuar hyrjen në Gjykatë”, tha Radoniqi.

Ndërsa Radoniqi kumto edhe vendimin e trupit gjykues për përjashtimin e avokatit Haxhi Çekaj nga shqyrtimi i gjyqësor si dhe si mbrojtës i të akuzuarit Shefqet Kameraj.

“Meqenëse sipas shkresave të lëndës ai ende figuron si avokat i çështjes, duke pasë parasysh akterët e një shqyrtimi gjyqësor duhet ta kenë integritetin edhe moral edhe profesional, trupi gjykues ka marrë vendim që avokatin Haxhi Çekaj me përjashtu prej kësaj çështje penale nga mbrojtja e mëtejshme e të akuzuarit Shefqet Kameraj”, tha kryetari i trupit gjykues.

I akuzuari Shefqet Kameraj tha se sot në mëngjes në paraburgim e kishte vizituar avokati Çekaj dhe  kishte pritur që i njëjtit ta përfaqësojë edhe sot në seancë.

Ai kërkoi që mbrojtjen e tij ta vazhdojë avokati i parë Haxhi Çekaj.

“Mua sot në mëngjes me ka vizatuar mbrojtësi im Haxhi Çekaj, dhe unë mendova se ai do jetë këtu (në seancë). Unë edhe atëherë jam deklaruar se derisa atij (Haxhi Çekaj) nuk i lejohet të ushtrojë detyrën e avokatit, unë qëndroj pranë tij dhe e ka autorizimin tim. Avokatin të cilin familja e ka angazhuar mund të jetë edhe ky prezent por unë kërkoj që mbrojtjen time ta vazhdojë Haxhi Çekaj”, tha Kameraj.

Në ketë seancë prezent ishte edhe avokati i dytë i Shefqet Kameraj, Muharrem Hoti, i cili ishte angazhuar nga familja e të akuzuarit pas arrestimit të avokatit të parë, Haxhi Çekaj.

Avokati Hoti tha se qëndron pranë kërkesës së të mbrojturit të tyre.

“Konsideroj se kërkesa e të mbrojturit tonë tani për tani juridikisht është e qëndrueshme. Nuk di në praktikën time si jurist, si ish-gjyqtar, që ka ndodhur diçka e tillë apo e ngjashme. Megjithatë edhe unë konsideroj se kërkesa e të akuzuarit për të pasur mbrojtës dhe për ta përzgjedhë atë është e drejtë ekskluzive e tij”, tha Hoti.

Ai shtoi së lidhur me përjashtimin e kolegut të tij nga trupi gjykues nuk dëgjoi ndonjë dispozitë ligjore mbi të cilin është marrë vendimi.

“Nuk e dëgjova asnjë dispozitë ligjore apo akt ligjor mbi bazën e të cilit u mor ky vendim. Sido që të jetë për mua si mbrojtës i dytë sipas autorizimit që kam më mbetet që të dëgjoj edhe njëherë deklarimin e të mbrojturit se a do të vazhdojë me mua si mbrojtës i parë”, u shpreh Hoti para trupit gjykues.

Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, tha se qëndron konstatimi i avokatit Hoti se nuk ka pasur praktika të tilla në Gjykatë në të kaluarën sikurse rasti me vendimin për avokatin Çekaj.

“Çështja penale që zhvillohet ndaj avokati Haxhi Çekaj ka dëmtuar drejtpërdrejt integritetin e Gjykatës dhe gjyqtarëve, andaj kjo ky trup gjykues ka marrë vendimin për përjashtimin (Haxhi Çekajt)”, tha Radoniqi.

Prokurori i çështjes, Haxhi Sinanaj, tha se s’ka çka të deklarojë sepse kjo çështje i  përket trupit gjykues. Mendim të njëjtë me prokurorin pati edhe avokati i palës së dëmtuar, Gëzim Kollçaku.

Kryetari i trupit gjykues tha së vendimin do e marrë në formë të shkruar për përjashtimin e avokatit Haxhi Çekaj si mbrojtës i të akuzuarit Shefqet Kamraj.

Për të njëjtin vendim Radoniqi tha se i akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit dhe varësisht sipas vendimit të tyre do vazhdohet me procedurën e mëtutjeshme.

Seanca e radhës u caktuar të mbahet më 3 prill.

KALLXO.com kishte raportuar për arrestimin e avokati Haxhi Çekaj nga Policia e Kosovës gjatë pauzës se seancës në gjykimin e rreshterit policor Shefqet Kameraj, i akuzuar për vrasjen e Ilmi Lufajt.

http://kallxo.com/avokati-haxhi-cekaj-arrestohet-gjate-pauzes-se-seances/

Po ashtu, KALLXO.com raportoi edhe për caktimin e masës prej 30 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj avokati Haxhi Çekaj.

http://kallxo.com/30-dite-paraburgim-per-avokatin-haxhi-cekaj/

Përkundër arrestimit të avokati Çekaj, i akuzuari Shefqet Kameraj edhe në seancën e kaluar kishte kërkuar që avokat i tij të vazhdojë të jetë Haxhi Çekaj.

http://kallxo.com/ish-polici-akuzuar-per-vrasje-kerkon-ta-mbroje-avokati-arrestuar/

KALLXO.com kishte raportuar edhe për angazhimin e avokatit Muharrem Hoti nga familjaret e të akuzuarit si avokat mbrojtës gjatë shqyrtimit gjyqësor.

http://kallxo.com/ish-polici-akuzuar-per-vrasje-behet-avokat-te-ri/

Të gjitha raportimet rreth vrasjes së Ilmi Lufajt dhe procesit gjyqësor ndaj Shefqet Kamerajt mund t’i gjeni në ketë link.