Gjykata Themelore në Gjakovë | Foto: KALLXO.com

Avokati: I Turpshëm Gjykimi i Zyrtarit të Gjakovës

Avokati Ndrecë Dodaj në gjykimin për shpërdorim detyre të të mbrojturit të tij Gani Rama, zyrtarit kryesor financiar të Komunës së Gjakovës, tha se dikush tjetër në këtë proces duhej të ishte në bankën e të akuzuarve.

Dodaj, kur i tha këto fjalë, po zhvillonte një debat të ashpër me prokurorin Faik Halilaj, pasi prolkurori kundërshtoi pyetjet që avokati po ia shtronte një dëshmitari.

“Të ishte kry ky hetim në mënyrë të rregullt qysh po kërkon prokurori sot, nuk ish asnjëri këtu, por për fat të keq, ata që janë përgjegjës për këto mjete sot shetiten poshtë e përpjetë se nuk guxon asnjë prokuror me inicu procedurë. Këtu ka qenë dashtë të ishte ish- kryetari i komunës në vend të tina, jo ky. Kjo është e turpshme çka bahet këtu,” tha avokati Ndrecë Dodaj.

Gani Rama akuzohet se bashkë me persona tjerë keqpërdori shumën prej 218,956.67 eurove, duke ia mundësuar një kompanie shpërndarjen e subvencioneve pa procedura për këtë gjë.

Në seancë dëshmuan zyrtarët komunalë të Gjakovës Xhavit Uka e Bekim Ermeni që ishin propozuar nga mbrojtja e Ramës.

Avokati Dodaj po i shtronte pyetje Xhavit Ukës kur u përfshi në kundërshtimin e ashpër të ndërhyrjeve të prokurorit ndaj pyetjeve që po bënte.

Prokuroria Speciale akuzon Ramën se “e kishte lejuar alokimin dhe propozimin e mjeteve monetare lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit DPT “Union-VL” për shpërndarjen e subvencioneve”.

Në aktakuzë thuhet se Rama këto mjete i kishte lejuar “pa asnjë procedurë për shpërndarjen e subvencioneve, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta, apo dokumentacion tjetër përcjellës, ashtu siç është përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregullat Financiare”.

KALLXO.com shkroi për këtë aktakuzë.

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-zyrtarit-financiar-te-gjakoves/

Seanca e radhës është caktuar më 21 dhjetor.