Gjykimi i Bukurie Haxhimuratit | Foto: KALLXO.com

Avokati: Prokurorja ka Hyrë në Zonën e Torturës

Florim Vertopi, avokati i zyrtares së Gjykatës Supreme të Kosovës, Bukurie Haxhimurati, e cila po akuzohet për korrupsion, tha se prokurorja e EULEX-it ka hyrë në “zonën e torturës”.

Avokati Vertopi këtë e tha pasi që prokurorja, Damare Theriot kërkoi nga gjyqtari Valon Kurtaj që t’i caktojë masën e paraburgimit Haxhimuratit pasi që e akuzuara nuk u paraqit në seancë.

“Prokurorja me kërkesën e saj ka hyrë në zonën e torturës”, tha Vertopi.

Para se të bënte këtë kërkesë, avokati Vertopi njoftoi të pranishmit se e mbrojtura e tij nuk ka mundur të jetë në seancë për arsye shëndetësore.

“E akuzuara nga dokumentet që i dorëzova gjykatës shihet se është e shtrirë në spital nga data 8 qershor. Sipas informatave, ajo pritet që sot t’i nënshtrohet një ekzaminimi tjetër mjekësor”, tha Vertopi.

Dokumentet e dorëzuar nga Vertopi nuk e bindën prokuroren e EULEX-it, e cila tha se nga dokumentet nuk ofrohet asgjë, ndërsa ato mund të jetë të falsifikuara.

“Ndaj brengën time me gjykatën se kjo është një përpjekje për të shmangur drejtësinë”, tha Theriot.

Kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj tha se lidhur me propozimin e prokurores për paraburgim ndaj Haxhimuratit do të vendosë pasi të informohet nga QKUK-ja lidhur me gjendjen e pacientes.

Varësisht nga përgjigjja që do të marrë prej QKUK-së, kryetari Kurtaj tha se do të vendosë nëse do t’ia caktojë këtë masë ose jo të akuzuarës.

Pas përgjigjes nga QKUK-ja, kryetari i trupit gjykues do të vendosë edhe për datën kur do të zhvillohet seanca.

Bukurie Haxhimurati u arrestua në maj të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/ja-pse-u-arrestua-referentja-e-gjykates-supreme/

Në gusht të vitit që shkoi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj saj.

http://kallxo.com/punetorja-e-supremes-akuzohet-per-ryshfet/