Xhemshit Krasniqi

Avokati Pret që Apeli ta Lirojë Xhemshit Krasniqin

Xhemshit Krasniqi të hënën u dënua me 8 vjet burg dhe 1500 euro gjobë pasi u gjet fajtor për torturimin e disa dëshmitarëve dhe civilëve në kampet e UÇK-së në Kukës e Cahan si dhe në Prizren në vitin 1999.

Megjithatë, avokati i tij Haxhi Millaku e kundërshton këtë dënim kur flet për KALLXO.com dhe thotë se dëshmitarët e prokurorisë ishin kontradiktorë në dëshminë e tyre para trupit gjykues të EULEX-it.

“Dëshmitarët të cilët ishin  dëshmitarë të mbrojtur dhe figurojnë nga dëshmitari A deri tek N dhe dëshmitarët nga 1 deri tek 5, ishin shumë kontradiktorë dhe në këtë rast më befasoi gjykata se si ju dha besimin,” tha Millaku.

Millaku pretendon se dëshmitarët i ishin nënshtruar një forme të presionit.

“Të gjithë dëshmitarët ishin vizituar nga prokurori afër një muaj para gjykimit dhe s’dua të paragjykoj por kjo është një lloj presioni në dëshmitarë,” tha  Millaku.

Edhe pse flet për presion ndaj dëshmitarëve, Millaku e pranon se gjykata ka konstatuar se nuk kishte presion mbi ta.

Avokati i të dënuarit për krime lufte  Millaku thotë se dëshmitarët mohuan se kanë parë Krasniqin të ketë kryer krimet për të cilat u dënua.

“Të gjithë dëshmitarët e prokurorisë gjatë gjykimit në pyetjet e mia se a e kanë parë Xhemshit  Krasniqin të ketë arrestuar, lënduar, torturuar dikë kanë thënë se jo,” tha Millaku për KALLXO.com.

Avokati Millaku tha se është në përgatitje të ankesës, ndërsa ka pritje të mëdha nga Gjykata e Apelit.

”Unë prej Apelit pres pafajësinë e plotë dhe këtë do ta argumentojmë në Apel, sepse ka shumë shkelje në të gjitha fazat e prokurorisë dhe prokuroria ka dështuar të argumentojë inkriminim e të mbrojturit tim”, tha Millaku.

Ish-eprori i UÇK-së u shpall fajtor për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës e Cahan (Shqipëri), si dhe në Prizren më 1999.

Një trup gjykues i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, e shpalli fajtor të akuzuarin Xhemshit Krasniqin për kryerjen e veprës penale krime të luftës kundër popullsisë civile dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

http://kallxo.com/xhemshit-krasniqi-denohet-per-krime-lufte/

Me anë të një vendimi të veçantë, atij i është vazhduar paraburgimi deri sa ky aktgjykim ta marrë formën e prerë.

Ish-eprori i UÇK-së ishte arrestuar më 6 tetor të vitit të kaluar në rrethinën e Prizrenit.

http://kallxo.com/xhemshit-krasniqi-del-sot-para-gjykates-reagojne-veteranet-e-uck-se/

Në kohën e arrestimit të Krasniqit, prokurorët e EULEX-it pretendonin se kishin prova për të dëshmuar se në mes prillit dhe majit të vitit 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte ndërtuar në territorin e Shqipërisë dy kampe të paraburgimit ku janë keqtrajtuar disa të burgosur shqiptarë dhe romë.

http://kallxo.com/prokuroria-pjesetaret-e-uck-se-hidhnin-kripe-ne-plaget-e-te-burgosurve/