Avokati i Popullit i Shqetësuar për Sigurinë e Banorëve të Hades

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari së bashku me autoritetet komunale të Obiliqit kanë dalë në terren në fshatin Hade për të parë nga afër gjendjen e banorëve që jetojnë afër mihjeve të qymyrit nga KEK-u.

Sipas tij, edhe nëse distanca në mes të mihjeve dhe zonës së populluar është ligjërisht në rregull këta banorë rrezikojnë nga rrëshqitja e dheut që ai e vlerëson si evidente.

“Shihet sa afër kanë mbërri me gërmime dhe shihen rrëshqitjet e dheut kështu që është rrezik permanent. Nëse janë 250 metra kush siguron që nuk ka rrëshqitje të dheut, kush siguron që një qytetar nuk do të humb jetën aty”, tha Jashari.

Jashari foli për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ , ku paraqitet gjerësisht problematika e shpronësimit dhe zhvendosjes së banorëve nga zonat ku plani qeveritar parasheh të bëhen mihje për qymyr nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Ndërkaq Arben Berisha nga Drejtoria e Ambientit në Komunën e Obiliqit akuzoi KEK-ut për shkelje të rregullave të distancës, përveç tjerash.

“KEK-u nuk e respekton asnjë ligj, asnjë rregull , asnjë normë me asnjë gjë nuk e respekton”, tha Berisha.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: