Komisioni për të Drejtat e Njeriut - Foto: KALLXO.com

Avokati i Popullit Kërkon Përkrahjen e Deputetëve për Zbatimin e Rekomandimeve

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka kërkuar përkrahjen e deputetëve të Kuvendit në zbatimin e rekomandimeve që institucioni që drejton ai ua përcjell institucioneve.

Këtë kërkesë ai e parashtroi në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ku u diskutua zbatimi i këtyre rekomandimeve.

Jashari foli edhe rreth numrit të rekomandimeve të adresuara dhe masës së zbatimit.
“Ne e kemi adresuar një letër më 16 janar të 2018-tës me të cilën kemi raportuar për problemet e moszbatimit të rekomandimeve nga institucionet e Republikës së Kosovës gjatë 2016. Në po këtë vit ne kemi adresuar gjithsej 173 rekomandime në institucione publike duke shënuar rritje prej 203% krahasuar me vitin 2015… Ka dalë që nga të gjitha këto rekomandime 34% janë zbatuar, 17% kanë mbetur të pazbatuara dhe 49 për qind e rekomandimeve mbesin në pritje për zbatim”, u shpreh Jashari.

Ndërsa, Merita Vuthaj, shërbyese civile në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se barra e nisjes së zbatimit bie në instancat më të larta të ministrive.
“Kërkesa sigurisht vjen nga instancat më të larta pra nga ministri, më pas ministri e përcjell atë te sekretari dhe unë si shërbyes civil më pas i zbatoj ato”, tha Vuthaj.
Kjo e fundit tregoi se shumë nga këto probleme janë të fushës së shëndetit riprodhues, duke shtuar se kjo lidhet me ngecjet e sistemit shëndetësor në përgjithësi.

Gjatë këtij takimi, deputetja nga PDK dhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Mexhide Mjaku-Topalli, kërkoi përgjegjësi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për rekomandimin e emërimit të gjyqtarëve të specializuar për rastet e dhunës në familje.

“Ne kemi kërkuar që Këshilli Gjyqësor të caktojë gjyqtarë të veçantë të cilët do të bëjnë trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, tha ajo, duke kujtuar se këta gjyqtarë nuk janë caktuar.

Ndërkaq, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se për kohë të gjatë nuk ka pasur përgjegjësi për këto rekomandime.

Në 20 vjet të funksionimit të Institucionit të Avokatit të Popullit nuk ka ndodhur marrja e përgjegjësisë ligjore ndaj ndonjë institucioni që nuk i ka zbatuar rekomandimet.
Megjithatë, ai u shpreh se me grupin e tij parlamentar do të përpiqet ta formojë një komision që do të kërkojë përgjegjësi për zbatimin e të drejtave të njeriut.

“Ne do të bëjmë përpjekje që ta krijojmë një komision ad hoc në kuadër të Kuvendit që do të merret me zbatimin e rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit e t’i marrë në përgjegjësi deri në shkarkimin e kujtdo qoftë”, tha ai.

Ndërsa, duke iu referuar propozimit të Kurteshit, Hilmi Jashari deklaroi se nuk do ta përkrahte një nismë të tillë nëse ajo nuk do ta kishte mbështetjen e Kuvendit për t’i mbajtur përgjegjëse autoritetet publike për respektimin e standardeve.

Por, në përmbylljen e mbledhjes, Jashari tha se institucioni që ai e drejton nuk është asgjë më tepër sesa mekanizëm i Kuvendit për mbikëqyrjen e Qeverisë në respektimin e të drejtave të njeriut.