Avokati i Popullit

Avokati i Popullit Heton Ndotjen e Mjedisit nga Materiali i Asbestit

Avokati i Popullit, në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore, ka filluar hetimet Ex Officio (sipas detyrës zyrtare), lidhur me ndotjen e mjedisit nga materialet dhe mbeturinat e pa trajtuara me përbërje të asbestit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra për Informim e Avokatit të Popullit.

“Avokati i Popullit në hetimin e tij përkitazi me menaxhimin e materialeve me përbërje asbesti, ka për qëllim vënien në pah të rreziqeve të përdorimit dhe pranisë së materialeve me përbërje asbesti dhe mënyrën e trajtimit  të tyre, duke përfshirë asgjësimin e materialeve të tilla”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Në këtë njoftim thuhet se depërtimi i lehtë i fibrave të asbestit në organizimin e njeriut nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes dhe kontaminimi që këto fibra krijojnë në organizimin e njeriut, rrisin rrezikun për shëndetin dhe jetën e njeriut nga materialet me përbërje asbesti.

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim se mbeturinat e asbestit, të pa trajtuara dhe të pa ambalazhuara gjenden në tërë territorin e vendit.

“Për më tepër vërehet edhe mungesa e informimit të publikut lidhur me rrezikun e këtij produkti, si dhe mënyrat e trajtimit të mbeturinave nga asbesti, si obligim pozitiv i shtetit dhe parim themelor për respektimin e së drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Në këtë njoftim thuhet se parandalimi i lirimit të fibrave të asbestit në ajër dhe ujë përcaktohet edhe me standarde ndërkombëtare, me Ligjin për Mbeturina, dhe Udhëzimin Administrativ për Menaxhimin e Mbeturinave që Përmbajnë Asbest.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se si imediate nevojë për caktimin e politikave dhe ndërmarrjen e masave për sanimin e gjendjes në Kosovë.