Hilmi Jashari

Avokati i Popullit: Dyert e Hapura në Ditën e Zgjedhjeve

Zyra qendrore dhe ato regjionale të Institucionit të Avokatit të Popullit do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve.

Nesër krahas hapjes së qendrave të votimit në mbarë vendin, të hapura për ankesa tq qytetarëve do të jenë edhe zyra qendrore bashkë me zyrat regjionale të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Lajmi për hapjen e zyrave bëhet i ditur në një njoftim të këtij institucioni në faqen zyrtare të internetit.

“Qëllimi i mbajtjes hapur të zyrave të IAP-së gjatë procesit të votimit ditën e zgjedhjeve, është pranimi i ankesave eventuale nga qytetarët, përkitazi me pretendimet për shkelje të votës apo cenim a keqpërdorim të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Aty bëhet e ditur se zyrat do t’i kenë dyert e hapura nga ora 7 e mëngjesit e deri në orën 19:00.

Përveç zyrës qendrore në Prishtinë, Institucioni i Avokatit të Popullit ka zyra edhe në Prizren, Ferizaj, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Mitrovicë Veriore e Graçanicë.