Driton Hajdari | Foto: KALLXO.com

Avokati i Popullit: Driton Hajdari nuk Duhet të Mbahet në Burg

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, vlerëson se vazhdimi i mbajtjes së Driton Hajdarit në burg për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore do të përbënte shkelje të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Avokati i Popullit në Mendimin Juridik drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë konkludon se vazhdimi i mbajtjes së të dënuarit në fjalë në kushtet e theksuara në raportin e DSHB, do të përbënte shkelje të nenit 3 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe akteve tjera ndërkombëtare të lartpërmendura”, thuhet në mendimin e Avokatit të Popullit.

Sipas njoftimit,  Avokati i Popullit, në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae), i ka përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë mendimin juridik lidhur me trajtimin e personave të sëmurë rëndë, që janë të privuar nga liria, duke e trajtuar specifikisht rastin e të dënuarit të rastit “Bllaca”, Driton Hajdarit, në emër të të cilit gruaja e tij ka parashtruar ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit.

“Sipas dokumenteve të pranuara nga ankuesja, si dhe nga vizita që përfaqësuesit e Avokatit të Popullit i kanë bërë pacientit, ashtu siç edhe nga informacioni i pranuar nga Departamenti i Shëndetësisë në Burgje (DSHB) i Ministrisë së Shëndetësisë, i dënuari në fjalë vuan nga një sëmundje e rëndë progresive, për çka pacienti ka qenë i shtrirë disa herë në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore”, thuhet më tutje në mendimin juridik.

Departamenti për Shëndetësinë në Burgje në raportin dërguar Avokatit të Popullit e informon se Driton Hajdarit nuk mund t’i ofrojnë kujdesin e duhur shëndetësor në bazë të sëmundjes së tij.

“Bazuar në kushtet e Njësive Shëndetësore në Burgje, DSHB thekson se nuk kanë institucione për trajtim të personave me nevoja të veçanta; nuk kanë mundësi për trajtimin e personave me pamundësi kujdesi për vetveten dhe me përcjellës, por vetëm kujdes infermierie 24 orësh; nuk kanë neurolog për trajtim të vazhdueshëm sipas rekomandimeve të Klinikës së Neurologjisë dhe indikacioneve shëndetësore; nuk kanë në listën e tyre esenciale, barëra për trajtimin e një sëmundjeje të tillë të avancuar, e cila është specifike dhe e nivelit terciar, e për të cilën QKUK ka vështirësi për furnizim të tillë”, thuhet më tutje në njoftimin e avokatit të popullit.

Po ashtu, Avokati i Popullit i referohet edhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe specifikon Nenin 3, në kuptimin e të cilit  shteti duhet të sigurojë se personi i privuar nga liria mbahet në kushte të cilat janë në pajtueshmëri me respektin ndaj dinjitetit të tij njerëzor.

“Kjo theksohet edhe në gjetjet e Komitetit Europian për Parandalim të Torturës, gjë që është në pajtueshmëri edhe me Rregullin 43 të Rregullave Europiane të Burgjeve. Në këtë frymë theksohen edhe Rregullat Minimale Standarde të OKB-së për Trajtim të Burgosurve (Rregullat e Mnadelës)”, thuhet në njoftim.

Driton Hajdari është i dënuar me shtatë vjet burg në rastin “Bllaca”.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht në lidhje me problemet shëndetësore të Hajdarit.

http://kallxo.com/driton-hajdarit-refuzohet-kerkesa-per-trajtim-mjekesor-jashte-shtetit/

http://kallxo.com/denuari-ne-rastin-bllaca-2-po-trajtohet-ne-qkuk/

Arrestohet Shoku i Bllacës