Saimir Tahiri - Foto: Rtv21

Avokati: Pa Prova Kërkesa për Arrestimin e Saimir Tahirit

Artan Hajdari, avokati i deputetit Saimir Tahiri, kundërshtoi kërkesën e prokurorisë për marrjen e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit, jo vetëm si të paargumentuar në prova dhe indicie, por as të bazuar në Kushtetutë dhe ligj.

Sipas Hajdarit, prokuroria nuk ka paraqitur as prova dhe të dhënat e paraqitura prej saj nuk mund të përbëjnë as indicie.

“Nuk përbëjnë karakterin e një dyshimi të arsyeshëm. Ato nuk përbëjnë asnjë indicie. Nuk mund të akuzosh një person e të nisesh nga një aksion në itali, por duhet të provohet”, u shpreh avokati.

Dy provat kryesore ku bazohet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Tahirit është akti i shitjes së makinës dhe dyshimi se ish-ministri ka udhëtuar me të akuzuarit me të njëjtin mjet.

Avokati Hajdari kundërshtoi edhe këto.

Pala mbrojtëse e Tahirit thotë se ka përkthyer të gjithë materialin prej 460 faqesh të drejtësisë italiane dhe në këtë material nuk ka asnjë indicie që tregon lidhje direkte, indirekte, aksidentale apo dyshime që lidhin ish-ministrin e brendshëm me grupin kriminal në fjalë./21Media