Të akuzuarit Fevzi Hajdari e Taulant Tahirsylaj në njërën prej seancave të gjykimit - Foto: KALLXO.com

Avokati Nuk Ftohet, Shtyhet Seanca Ndaj Zyrtarëve të AKP-së

Në korrik të vitit të kaluar, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj ishin gjetur fajtorë dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në akuzën për marrje ryshfeti.

Pas ankesave të mbrojtjes lidhur me dënimet, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ndërsa, seanca e parë e rigjykimit e paraparë të mbahej këtë javë nuk është mbajtur për disa arsye.

Avokati i të akuzuarit Fevzi Hajdari, Ramë Gashi, për KALLXO.com tha se nuk ishte njoftuar fare nga Gjykata për seancën.

“Nuk kam pasur ftesë nga Gjykata Themelore e Prishtinës lidhur me këtë rast. Madje as vendimin e Gjykatës së Apelit që e ka kthyer rastin në rigjykim nuk e kam pranuar ende”, tha Gashi.

Avokati tha se informacionet e vetme lidhur me rastin i ka pasur nga i mbrojturi i tij.

Megjithëse ky është një rast ku mbrojtja juridike nuk është e obligueshme, Gashi thotë se mosftesa e tij është një arsye e mjaftueshme për shtyrjen e seancës.

Mirëpo KALLXO.com mëson se përpos mungesës së Gashit, arsye tjetër që ka ndikuar në shtyrjen e seancës ishte se kryetari i trupit gjykues të këtij rasti, Beqir Kalludra, ka pasur edhe një gjykim që ka zgjatur më shumë se që ishte paraparë dhe është tejkaluar afati i punës së Gjykatës.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet më 16 janar.

Fevzi Hajdari nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte dënuar me 2 vjet burgim, si dhe gjobë prej 25.000 euro. Ndërsa Tahirsylaj ishte dënuar me 1 vit burg me kusht, nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda 2 viteve.

Gjykata gjithashtu i kishte shqiptuar Tahirsylajt një dënim me gjobë në shumë prej 8.000 euro.

Kjo çështje penale ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit që i kishte miratuar ankesat e mbrojtjes.

Aktakuza ngarkonte Hajdarin dhe Tahirsylajn se si zyrtarë në AKP-së me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, për t’ia shlyer borxhin në Administratën Tatimore të Kosovës prej 517 mijë eurove për pronën që dëshironte ta regjistronte Ramush Misini, i kishin kërkuar 20 mijë euro ryshfet këtij të fundit.

Të dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën që rëndonte mbi ta.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.