Pamje nga seanca e sotme e rastit "Medicus" - Foto: KALLXO.com

Avokati: Nëse Lutfi Dervishi mbetet në burg humb shëndetësia e shoqëria

Në rigjykimin e mjekëve të klinikës “Medicus”, Lutfi Dervishit, i cili akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar si dhe Sokol Hajdinit, i akuzuar për lëndim të rëndë trupor, pala mbrojtëse e ka dhënë fjalën përfundimtare.

Mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Valon Hasani gjatë fjalës përfundimtare tha se Prokuroria e ka pasur për detyrë të dëshmojë secilin element të veprës penale dhe se sipas tij, Prokuroria e ka pasur barrën e provës që të dëshmojë veprimet, mjetet dhe qëllimet që ishin ndërmarrë nga i akuzuari Dervishi apo në bashkëkryerje.

Por, sipas avokatit, veprimet siç janë përshkruar në nenin 139 të KPPRK-së janë veprime natyrale dhe nuk përmbajnë vepër penale, përveç kur ndërmerren veprime me mjete të ndaluara.

Ai tha se qëllimi i heqjes së organeve për qëllim të transplantimit ishte natyral dhe si i tillë nuk përbën trafikim me njerëz, përveç kur merret me mjete të ndaluara siç janë kanosja, shtytja, detyrimi, rrëmbimi, mashtrimi etj.

Sipas avokatit, në asnjë moment Prokuroria nuk pretendon se i mbrojturi i tij i kishte përdorë këto mjete të ndaluara.

Hasani tha se Lutfi Dervishi nuk është përgjegjës për veprimin e pjesëmarrësve të tjerë.

Ai tha se shitja apo blerja e veshkës nuk është ekuivalente për veprën penale trafikim me njerëz, pasi që sipas tij disa shtete e lejojnë shitjen apo blerjen e organeve dhe se kjo në shumë vende nuk është vepër penale pasi nuk ka legjislacion për këtë çështje.

“Kështu ka qenë edhe rasti me Kosovën në vitin 2008. Nuk ka asnjë dispozitë që e bën shitjen e ndonjë organi të paligjshëm, nuk ka pasur dispozitë ligjore e cila do ta bënte një gjë të tillë penale” tha ai.

Në lidhje me çështjen e licencimit të klinikës “Medicus”, ai tha se nëse vepra penale e trafikimit me njerëz është kryer apo jo, nuk ka të bëjë aspak me çështje e licencimit pasi që nuk ka asnjë relevancë, për faktin se të gjithë kirurgët kanë pasur njohuri profesionale, pasi kanë pasur licencë të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe se Lutfi Dervishi nuk ka pasur ide se dhuruesi dhe marrësi i veshkës shkëmbenin para.

Detyrimi i vetëm i Dervishit tha se ka qenë të merrte pëlqimin me shkrim nga pacienti që i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale, pasi që sipas tij edhe në provat që gjinden në shkresat e lëndës figuron se të gjithë pacientët kanë nënshkruar dokumentet e pëlqimin para kryerjes së transplantimit.

Avokati tha se përkundër faktit se Prokuroria pretendon se në klinikën “Medicus” janë kryer shtatë transplantime të veshkave dhe se në katër prej tyre ka marrë pjesë Lutfi Dervishi, me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohet pjesëmarrja e Dervishit në këto ndërhyrje.

“Prokuroria në kuadër të aktakuzës së ndryshuar pretendon se janë bërë 7 transplantime të veshkave në “Medicus” dhe se prej këtyre 7 transplantimeve, dr. Dervishi ka marrë pjesë në 4 prej tyre. Në anën tjetër dr. Dervishi pretendon se ai ka marrë pjesë vetëm në të fundit si ndihmës i dr. Somnez.

Prokuroria nuk ka paraqitur kurrfarë prove që pretendon se Dervishi ka marrë pjesë në 3 transplantime tjera te veshkës siç pretendohen në aktakuzë” shtoi avokati Hasani.

Në fund Hasani tha se Prokuroria me asnjë provë nuk ka dëshmuar se klienti i tij e ka kryer ndonjë vepër penale pasi që sipas tij klienti i tij nuk është trafikant dhe as nuk ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal.

Ai kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij.

“Mendoj që nëse ai do të mbetët në burg, do të ketë humbje në shëndetësi, në universitet dhe shoqëria padyshim nuk do të përfitojë. Kërkoj prej Gjykatës që të marrë aktgjykim për të dy veprat penale dhe të lirohet nga paraburgimi sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi avokati Valon Hasani.

Ndërsa mbrojtësi i Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi deklaroi se vepra penale për të cilën akuzohet klienti i tij shkaktohet me dashje dhe qëllim për t’i shkaktuar dikujt lëndim trupor por sipas tij Prokuroria me asnjë provë nuk ka arritur të dëshmojë se Hajdini e ka kryer ndonjë element të kësaj vepre penale.

“Vepra penale për të cilën akuzohet i mbrojturi im shkaktohet me dashje direkte si formë më e rëndë e fajësisë, kjo vepër penale shkaktohet duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme, kryesi duke qenë i vetëdijshëm se po bën veprim të kundërligjshëm, po shkakton lëndime dhe njëkohësisht po pajtohet me formën e shkaktuar, pra me qëllim e shkakton ardhjen e lëndimit të trupit të njeriut në formë të kundërligjshme. Mendoj se Prokuroria para Gjykatës nuk ka mundur të provojë këto elemente të domosdoshme që parashihen me ligj, për figurën e veprën penale lëndim i rëndë trupor”, tha Gashi.

Avokati përmendi edhe dëshmitë e dëshmitareve Shpresa Makolli, Tefik Bekteshi dhe Tunë Përvorfi për të cilët tha se kishin deklaruar se ekipi i anesteziologëve nuk kishte pasur shef dhe se përgjegjësia e anesteziologëve ka qenë e barabartë, ndërsa  Hajdini si anesteziolog asnjëherë nuk ka vepruar në trupin e njeriut, nuk ka hapur plagë, nuk ka hequr apo vendosur organ, dhe nuk ka mbyllur plagë.

“Të gjithë kanë thënë se kjo nuk është punë e një anesteziologu dhe se një anesteziolog nuk ka lidhje me qasje operative. Klienti im nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, dhe në mungesë të fakteve të njëjtin ta lironi nga akuza”, deklaroi avokati Ramë Gashi.

Kurse vetë i akuzuari Lutfi Dervishi tha se në botë bëhen me mijëra transplantime dhe askush nuk ndiqet penalisht pasi që sipas Dervishit transplantimi është vepër humane dhe është jetike për pacientin prandaj askush në botë nuk e quan vepër penale.

Ai deklaroi se nuk ka pasur aspak dijeni për pazaret që mund të jenë bërë dhe se po të kishte pasur një informacion të tillë asi nuk do të lejonte praninë e atyre personave në klinikën e tij.

“Prokuroria shton edhe një akuzë tjetër kinse unë kam qenë në dijeni për faturat, kjo nuk është e vërtetë sepse nëse do ta kisha ditë këtë gjë betohem në nderin tim dhe të familjes sime dhe them me përgjegjësi të plotë se ata nuk kishin mund me u fut as në oborr të klinikës por unë kurrë me parë nuk i kam njohur dhe as nuk kam dëgjuar as lexuar për këta njerëz, për herë të parë i kam parë në këtë gjykatë”, tha Dervishi.

Ndërsa Sokol Hajdini tha se përgjatë përvojës së tij 34 vjeçare ai asnjëherë nuk ka qenë në konflikt me ligjin dhe asnjëherë nuk ka punuar që t’i shkaktojë dikujt lëndime trupore.

“Nuk jam fajtor dhe nuk ndihem fajtor për atë që akuzohem. Unë vetëm kam punuar për më të mirën e pacientëve dhe në kuadër të ligjit, meqenëse profesioni im nuk shkakton lëndime trupor dhe që unë nuk kam punuar me askënd që ti shkaktojë dikujt lëndime trupo,r lus gjykatën që të lirohem nga akuza”, tha Hajdini.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.