Gjykimi i Stanisicit dhe Simatoviqit | Foto: MICT

Avokati: Millosheviqi nuk Komandonte Serbët në Bosnjë dhe Kroaci

Avokati mbrojtës i Jovica Stanisiqit tha të mërkurën në Mekanizmin për Gjykatat Ndërkombëtare në Hagë se liderët serbë vendas të përfshirë në krimet e dyshuara nuk ishin vartës të lidershipit të Beogradit, siç pretendon akuza.

Dëshmitari i prokurorisë John Wilson tha në gjykatë se Sllobodan Millosheviqi kishte “një ndikim efikas” mbi liderët serbë në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Por Wilson, i cili ishte shefi i vëzhguesve ushtarakë të Kombeve të Bashkuara në vitin 1992 dhe 1993, tha se ai nuk kishte sugjeruar që Millosheviqi ishte zyrtarisht përgjegjës për veprimet e liderëve serbë jashtë Serbisë.

Sipas akuzave kundër Stanisiqit, ish-shefit të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë (SDB) dhe ndihmësit tëi tij Franko Simatoviq, i njohur ndryshe si “Frenki”, Millosheviqi udhëhoqi një sipërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin me forcë dhe në mënyrë të përhershme të kroatëve dhe myslimanëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës për të arritur një dominim serb.

Aktakuza pohon se sipërmarrja kriminale e Millosheviqit u vu në zbatim nga Stanisiqi dhe Simatoviqi nëpërmjet SDB-së serbe.

Stanisiq dhe ish-ndihmësi i tij Franko Simatoviq, po gjykohen për persekutim, vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme të civilëve kroatë dhe boshnjakë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati mbrojtës i Stanisiqit Wayne Jordash u paraqiti Kombeve të Bashkuara një dokument nga marsi 1993 që i referohej “rolit paqeruajtës të Millosheviqit”.

Wilson u përgjigj duke thënë se “qëndrimi i Millosheviqit ndryshoi me kalimin e kohës” dhe se ai ishte kontradiktor.

“Ai shpesh do të gjente arsye për të mos bërë diçka. Ndonjëherë bëhej bashkëpunues në prag të takimeve me të dërguarit ndërkombëtarë”, tha Wilson.

Dëshmitari konfirmoi një pretendim nga avokati i Stanisiqit se në atë kohë, Millosheviqi ishte më i prirur të vinte nën presion liderët e shtetit rebel serb të Kroacisë Republika e Krajinës Serbe dhe zonës së udhëhequr nga serbët e Bosnjës, Republika Serbe, që të pranonin plane ndërkombëtare me qëllim që sanksionet kundër Serbisë të rrëzoheshin.

Sipas Wilsonit, kjo çoi në “përkeqësimin” e marrëdhënieve midis Millosheviqit dhe liderëve serbë në Kroaci dhe Bosnjë.

Dëshmitari pranoi gjithashtu sugjerimin e Jordashit se autoritetet e Millosheviqit “u kërkuan të gjithë popujve në Bosnjë të arrinin një marrëveshje”.

Mbrojtja e Stanisiqit mohoi pretendimin e dëshmitarit se në verën e vitit 1992, komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, ishte “vartës” i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Popullore Jugosllave (APJ).

Por Wilson i qëndroi pretendimit të tij se “në maj 1992 Mlladiq tregoi shenja të qarta nënshtrimi ndaj komandantit të APJ-së”.

Ai tha se kjo nuk nënkuptonte se Mlladiqi nuk ishte vartës i presidentit të Republikës Serbe Radovan Karaxhiq në të njëjtën kohë.

Kur u pyet nga avokati mbrojtës nëse “Mlladiq mori urdhra” nga Shtabi i Përgjithshëm në Beograd gjatë vitit 1991 dhe 1992, Wilson tha se ai mund ta konfirmonte këtë vetëm në lidhje me një incident në aeroportin e Sarajevës në maj 1992.

Wilson filloi të dëshmonte të martën, kur ai tha se SDB-ja kontrollonte njësinë paraushtarake “Beretat e Kuqe” dhe “Tigrat” e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si “Arkani”, të cilat kryen spastrim etnik të territoreve në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Stanisiq dhe Simatoviq deklaruan të dy se ishin të pafajshëm në dhjetor të vitit të kaluar pasi apeli në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë rrëzoi vendimin e mëparshëm për lirimin e tyre nga akuzat.

Gjykata vendosi më 15 dhjetor se kishte gabime serioze ligjore dhe faktike kur Stanisiq dhe Simatoviq u liruan fillimisht nga akuzat për krime lufte në vitin 2013.

Ajo urdhëroi që çështja të rigjykohej dhe të gjitha provat dhe dëshmitarët të ridëgjoheshin plotësisht nga gjyqtarët e rinj.

Marrja në pyetje e Wilsonit do të vazhdojë të enjten.