Fatmir Limaj | Foto: "Drejtësia në Kosovë"

Avokati i Limajt i Sëmurë, Shtyhet Seanca

Seanca gjyqësore ndaj Fatmir Limajt, i akuzuar për krime lufte, ka dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit dhe avokatit të tij, Tahir Rrecaj.

Mbrojtja me shkresë zyrtare kishte njoftuar Gjykatën e Gjakovës se do të mungojë në gjykimin e paraparë për sot e nesër për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të avokatit Rrecaj.

Me aktvendim të trupit gjykues u vendos që seanca e radhës të mbahet më 16 dhe 17 tetor.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në nëntor të vitit të kaluar shfaqi hulumtimin në dy vazhdime në të cilin familjarë të viktimave që u morën në Bellanicë në vitin 1998 treguan se si ndodhi ky rast.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-si-u-vra-ramiz-hoxha-nga-bellanica/

Limaj në Emisionin “Drejtësia në Kosovë tha se tashmë është hetuar në lidhje me vrasjet e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.