Azem Syla te Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Avokati Komenton Vazhdimin e Paraburgimit për Azem Sylën

Gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it i ka vazhduar masën e paraburgimit Azem Sylës deri në janar të vitit të vitit të ardhshëm.

Një veprim të tillë, avokati Besnik Berisha e cilëson si shkelje të të gjitha të drejtave të klientit të tij.

“Zgjatja e paraburgimit për një muaj e 6 ditë, është bërë vetëm për të mbuluar kohën e festave të fundvitit në mënyrë që gjykata ta shijojë pushimin përderisa të akuzuarve dhe familjarëve të tyre u është mohuar një e drejtë e tillë pa shkaqe ligjore”, tha avokati Berisha.

Berisha më tej konsideron se zgjatja e paraburgimit nuk është e vetmja shkelje që është bërë në rastin e Azem Sylës.

“Konsideroj se janë shkelë të gjithë kufijtë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë sa I përket zgjatjes së masës së paraburgimit për zotëri Azem Sylën dhe tashmë  është më se e provuar se Azem Sylës Gjykata e EULEX-it i ka cenuar të drejtën e tij për një gjykim në kohë të arsyeshme”, tha Berisha

Në deklarimin e tij  për KALLXO.com, Berisha më tej tha se shkeljet në procesin ndaj Azem Sylës i ka pohuar edhe vetë prokuroria i rastit.

“Një shkelje e tillë është pohuar edhe nga vetë prokurori në seancën e fundit dëgjimore, i cili moscaktimin e shqyrtimit gjyqësor edhe pse kanë kaluar mbi një vit nga seanca e shqyrtimit fillestar e konsideroi që është një veprim i patolerueshëm në asnjë shtet ku sundon rendi dhe ligji”, tha avokati.

Prokuror i rastit të Azem Sylës është prokurori Danilo Cecarrelli.

http://kallxo.com/azem-syla-edhe-dy-muaj-ne-paraburgim/

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit të kaluar ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndërsa ka kaluar më shumë se një vit qëkur është mbajtur seanca fillestare.

http://kallxo.com/azem-syla-deklarohet-i-pafajshem/

KALLXO.com siguroi edhe aktakuzën prej 264 faqeve ndaj Sylës dhe të tjerëve.

Po ashtu, KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga ky proces. Raportet mund t’i gjeni këtu.