Drenasi | Foto: KALLXO.com

Avokati Kërkon Hedhjen e Aktakuzës për Therje me Thikë

Me arsyetimin se “nuk ka prova të mjaftueshme”, avokati Haxhi Millaku kërkoi të premten që të hedhet poshtë aktakuza ndaj Ajet Musliu, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, por kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurorja e rastit.

Ajet Musliu dyshohet se më 19 tetor të vitit të kaluar ka therë me thikë dy persona pas një incidenti në parkingun e një kafeterie në Drenas.

Aktakuza thotë se për shkak se dy veturat kanë qenë afër dhe kanë pasur vështirësi për të dalë nga parkingu, kanë filluar të sharat nga i pandehuri Ajet Musliu ndaj të dëmtuarve Fehmi dhe Idriz Dvorani, të cilët me veturën e tyre janë larguar nga parkingu. Mirëpo i pandehuri i kishte njdekur ata nga prapa deri në momentin kur kanë qëndruar paralelisht me makina.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Ajet Musliu kishte dalë nga vetura njëjtë siç kishte vepruar edhe njëri nga të dëmtuarit në përpjekje që të sqarohen. Por, sipas aktakuzës, Musliu nuk i kishte lënë rast që të flasin por kishte nxjerrë thikën dhe nga mbrapa i kishte goditur të dëmtuarin duke dashur ta privojë nga jeta.

Sipas avokatit Millaku, aktakuza ndaj Musliut është ngritur në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ngase “veprimet e të pandehurit janë si pasojë e një tronditje të rëndë të afektit mendor”.

Por Prokurorja Vesa Limani kundërshtoi kërkesën e avokatit.

“Ka prova të mjaftueshme dhe me këto prova do të do të vërtetohet dyshimi I bazuar”, tha prokurorja Limani.