Avokati mbrojtës jep fjalën përfundimtare në gjykimin e Kujtim Bucaliut dhe HIB Petrol-it - Foto: KALLXO.com

Avokati kërkon aktgjykim lirues në gjykimin e HIB Petrol-it

Në gjykimin e Kujtim Bucaliut dhe kompanisë HIB Petrol Sh.P.K, për mashtrim të Komunës së Prishtinës për furnizimin e kësaj të fundit me naftë jocilësore, ka dhënë fjalën përfundimtare mbrojtësi i Kujtim Bucaliut, avokati Arianit Koci, si dhe përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës.

Sipas avokatit Koci në këtë proces gjyqësor prokurori ka dështuar që ta arsyetojë kërkesën e saj që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat të cilat u vihen në barrë.

Kjo për faktin se sipas avokatit nga Prokuroria janë injoruar mospërputhjet dhe shkarjet e mëdha logjike në mes të pretendimeve të Prokurorisë dhe provave të administruara.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria ka dështuar që ta përmbushë obligimin e saj ligjor që me vëmendje dhe përkushtim të vlerësojë faktet kundër mirëpo edhe ato në favor të të pandehurit.

“Prokuroria në këtë rast ka vendosur që të gjithë përkushtimin e saj ta orientojë në vërtetimin e tezës së tyre se të pandehurit janë fajtorë, duke injoruar në mënyrë flagrante provat që shkojnë në favor të tij. Me këtë rast nuk kemi parë aplikim të parimit in dublo pro reo”, tha avokati Koci gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare të cilën Gjykatës ia dorëzoi edhe në formë të shkruar.

Mbrojtja deklaroi se provat janë marrë në kundërshtim me ligjet në fuqi prandaj rrjedhimisht janë të pambështetshme.

Pasi që sipas avokatit gjendja e rezervuarëve të naftës, bazuar në ligjin për kërkesa teknike për produkte dhe për vlerësim të konformitetit është obligim ligjor që të mirëmbahen dhe të pastrohen rezervuarët e naftës, dhe sipas mbrojtjes këto rezervuarë të naftës nuk janë pastruar asnjëherë dhe nuk është bërë asnjë inspektim i jashtëm i rezervuarit, prandaj mbrojtja thekson se pa dyshim që kjo ka ndikuar në gjendjen e rezervuarëve të naftës në të cilët është akumuluar papastërtia për vite të tëra.

Koci tha se kjo situatë ishte vërejtur nga HIB shumë kohë më parë para se të fillonte hetimi dhe se HIB i kishte kërkuar Komunës që të bënte pastrimin e tyre sepse të njëjtin ishin të papastruar dhe mund ta kontaminonin naftës.

Sipas mbrojtjes, një gjë e tillë fare lehtë mund të vërtetohet pasi që në shkollat në të cilat rezervuarët kanë qenë të rinj dhe të mirëmbajtur rezultatet e sasisë së sulfurit në naftë ka dalë në parametra normalë, ndërsa për rezultatet në shkollat në të cilat këta rezervuarë kishin qenë të vjetër dhe jo të mirëmbajtur vlera e sulfurit ka dalë e lartë.

Tutje avokati tha se në të gjitha rastet kur mostrat e naftës janë marrë nga deponia e kompanisë HIB, rezultatet e mostrave sa i përket sulfurit kishin dalë në përputhje me parametrat e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ.

Andaj në fund duke u bazuar në këto fakte, avokati Koci tha se i propozon Gjykatës që të marrë aktgjykim lirues.

Ndërsa përfaqësuesja e Komunës së Prishtinës, fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar.

Aktgjykimi do të shpallet ditën e premte.

http://kallxo.com/prokurori-u-vertetua-se-hib-petrol-e-mashtroi-komunen-e-prishtines/

Sipas aktakuzës, Kujtim Bucaliu si personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, në intervalin kohor prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, pas nënshkrimit të kontratës Kornizë Publike e lidhur në mes HIB Petrol Sh.P.K dhe të dëmtuarës Komunës së Prishtinës për furnizimin e 44 institucioneve edukative-arsimore brenda territorit te Komunës se Prishtinës me naftë për ngrohje dhe gjeneratorë, tani i pandehuri, personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike.

Në aktakuzë thuhet se personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, gjatë ekzaminimit te kontratës se lartcekur, pasi paraprakisht ka siguruar vajra  gazore për ngrohje nga burime të paidentifikuara, me anë të paraqitjes se rreme të fakteve përmes fletëpagesave lidhur me përmbajtjen dhe cilësinë e naftës sipas specifikacioneve të kontratës së lartcekur e mashtron dhe e nxit Komunën e Prishtinës që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, duke i ofruar produktin e naftës që nuk përkon me kriteret dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës të parapara për vlerën e konformitetit të lëndës djegëse, në këtë mënyrë duke kaluar deri në 80 herë më shumë prezencën e sulfurit në naftë duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe të dëmtuarës – Komunës së Prishtinës.

Me anë të këtyre veprimeve, Kujtim Bucaliu akuzohet për veprën penale të mashtrimit si dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K për mashtrim të blerësve.

Ky gjykim është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Raportimet për këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.