Gjykimi i Fatmir Limajt | Foto: KALLXO.com

Avokati i Limajt i përgjigjet ankesës së Prokurorisë Speciale për ‘Bellanicën’

Avokati i Fatmir Limajt, Tahir Rrecaj e quajti të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktgjykimit lirues për Limajn në rastin e njohur si ‘Bellanica’.

Rrecaj në një prononcim për KALLXO.com tha se pret që Gjykata e Apelit të vërtetojë vendimin e Gjykatës Themelore që shpalli Limajn të Pafajshëm.

“Ankesa e prokurorisë është krejtësisht e pabazuar, kryesisht është ajo çka është shkruar në aktakuzë dhe fjalën përfundimtare të prokurores.Unë iu kam referuar në fjalën përfundimtare por edhe në ankesë, disa shembujve nga praktika gjyqësore që ndërlidhen me përgjegjësinë komanduese dhe doktrina e përgjegjësisë komanduese është raporti epror- vartës, këtë raport nuk e ka vërtetuar prokuroria e as gjykata në asnjë fazë të procedurës, pra nuk e kanë vërtetuar se ata persona kanë qenë vartës të Fatmir Limajt si komandant i brigadës 121”, tha Rrecaj.

Më pak se dy muaj pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë shpalli aktgjykimin në rastin e njohur si “Bellanica”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, më 2 tetor 1998.

http://kallxo.com/prokuroria-speciale-ankohet-per-lirimin-e-fatmir-limajt-ne-rastin-bellanica/