Pamje nga seanca e sotme në gjykimin e aktivistëve të Vetëvendosjes - Foto: KALLXO.com

Avokati Gashi: Prokurori Dështoi të na Bindë për Fajësinë e Frashër Krasniqit

Tomë Gashi, avokat i Frashër Krasniqit, i akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës, tha sot në fjalën përfundimtare se prokurori ka arritur të bind për sulmin por ka dështuar të bind trupin gjykues dhe të tjerët lidhur me përfshirjen e klientit të tij dhe aktivistëve të tjerë në sulmin e 4 gushtit 2016.

“Nëse Frashër Krasniqi shpallet fajtor unë nuk propozoj asnjë rrethanë lehtësuese por dënim maksimal sepse Frashëri është mjaftueshëm i edukuar dhe i shkolluar. Por, unë mendoj se Gjykata do ta shpall atë të pafajshëm”, tha avokati Gashi në seancën e sotme.

Avokati citoi prokurorin e Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, i cili, sipas tij, tha disa herë se është mendim i tij rreth përfshirjes eventuale të klientit tim dhe të tjerëve në këtë vepër penale. “Dhe mund të jetë shumë e vërtetë që ky është vetëm mendim personal dhe asgjë tjetër”, shtoi avokati.

Lidhur me prezantimin përmes projektorit të provave nga prokurori Islami, avokati tha se kjo nuk ka pasur asnjë efekt.

“Përkundrazi ka pasur kundërefekt, sepse prokurori i ka bind jo vetëm juve por të gjithë se të akuzuarit janë 100 % të pafajshëm”, shtoi avokati i deputetit Frashër Krasniqi.

Kjo ka qenë një tentativë e prokurorit që të dëshmojë diçka që intimisht besoj që as vetë nuk beson në të, shtoi ai.

“Mos të duket e rëndë por prokurori ka ba filma që kanë pas efekt të kundërt dhe thuaja se janë porosit nga vetë mbrojtja për të mos e harruar atë që ndoshta është prova kryesore e që është fjalia e prokurorit të shtetit që deklaroi se materiali i dërguar në FBi ka qenë i papërshtatshëm që të identifikohen aktivistët e akuzuar me lëvizjen konkrete”, theksoi avokati Tomë Gashi.

Atëherë pyetja është se a është e mundur që teknika kriminalistike e Policisë së Kosovës paska arritur t’ia kalojë edhe FBI-së dhe unë besoj që jo, përfundoi Tomë Gashi.

Ndërsa, prokurori Abdurrahim Islami kërkoi nga Gjykata të shpallë fajtorë të akuzuarit dhe t’i dënojë sipas ligjit.

http://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-aktivisteve-te-vetevendosjes/

Në këtë rast, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.

Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore.

KALLXO.com ka raportuar na vazhdimësi lidhur me këtë rast dhe raportet mund t’i gjeni në këtë link.