Nga gjykimi në Rastin Stenta | Foto: KALLXO.com

Avokati: Me Gabime Aktakuza e Përkthyer e Stentave

Në gjykimin e 64 punonjësve shëndetësorë në Rastin “Stenta”, Behar Ejupi, avokati i të akuzuarit Ali Hoacoglu, tha se aktakuza e përkthyer në turqishte-gjuhën amtare të të mbrojturit të tij, ka shumë gabime gjuhësore.

Ejupi deklaroi në seancë se për pretendimet e tij do t’i ofrojë prova gjykatës.

Avokatët që mbrojnë të akuzuar turq në këtë proces gjyqësor u ankuan se nuk kanë marrë provat në gjuhën turke në mënyrën e duhur, pasi sipas tyre, edhe ato kanë shumë gabime.

Trupi gjykues e obligoi prokurorin Sylë Hoxha që deri më 28 prill t’i përkthejë në gjuhën turke dhe maqedonase të gjitha provat dhe ato t’ua dorëzojë në CD të akuzuarve që kanë gjuhë amtare turqishten dhe maqedonishten.

Seanca e radhës e rastit “Stenta” u caktua më 19 maj.

Avokatët ishin ankuar në lidhje me provat në Rastin “Stenta” edhe në seancën e 28 dhjetorit 2016.

http://kallxo.com/probleme-provat-ne-rastin-stenta/

Sot seanca nisi me gati një orë vonesë, pasi nuk erdhi me kohë prokurori Sylë Hoxha.

http://kallxo.com/syle-hoxha-vonohet-por-pritet-me-duartrokitje/

Edhe pse procesi gjyqësor kundër mjekëve të rastit “Stenta” nisi në tetor të vitit të kaluar, të akuzuarve për shkak të shtyrjeve të vazhdueshme nuk u është lexuar ende aktakuza.

http://kallxo.com/rasti-stentat-assesi-te-lexohet-aktakuza/

Në Rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë, 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësorë që po nisin të gjykohen sot qenë arrestuar më 9 tetor 2014.