Avokati i Arrestuar për Mashtrim Del Para Gjyqtarit

KALLXO.com ka mësuar nga zyrtarë të Prokurorisë Speciale se avokati i arrestuar, Haxhi Çekaj do të dalë sot para gjykatësit të procedurës paraprake në Prishtinë për t’u marrë në pyetje rreth dyshimeve të ngritura ndaj tij.

Në këtë seancë për caktimin e masës së sigurisë, e cila pritet të mbahet pasdite, zyrtarë të Prokurorfisë thonë se prokurori i rastit, Sylë Hoxha, do të kërkojë që gjykata t’ia caktojë atij masën e paraburgimit.

Avokati Haxhi Çekaj, i cili mbron policin e suspenduar Shefqet Kameraj, që gjykohet për vrasjen e Ilmi Lufajt, u arrestua të mërkurën në pauzë të seancës në rastin në të cilin klienti i tij akuzohet për vrasjen e një qytetari në Deçan gjatë kohës sa ishte në detyrë.

Haxhi Çekaj, avokat i të akuzuarit Shefqet Kameraj, nuk është kthyer në seancë pas pauzës në shqyrtimin gjyqësor që është duke u mbajtur lidhur me vrasjen e Ilmi Lufajt.

Sipas burimeve të KALLXO.com avokati Çekaj gjatë pauzës ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në këto rrethana, trupi gjykues i Gjykatës së Pejës mori vendim që seanca të ndërpritet deri nesër.

Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, pas kthimit nga pauza tha se në seancë mungon avokatit i të akuzuarit, Shefqet Kameraj, Haxhi Çekaj.

Radoniqi tha së Çekaj është kontaktuar përmes telefonit dhe i njëjti ka thënë së nuk mund të jetë i pranishëm në vazhdimin e seancës për shkak të “krijimit të rrethanave të papritura”.

“Pas kontaktimit përmes telefonit me avokatin Çekaj i njëjti e njoftoi trupin gjykues se për shkak të disa rrethanave të papritura e të cilat nuk mund t’i shpjegojë përmes telefonit theksoi se i pamundësohet pjesëmarrja në ketë seancë”, tha Radoniqi, kryetar i trupit gjykues.

Kreshnik Radoniqi tha se avokati është pyetur se a do të marrë pjesë në seancën e nesërme por Çekaj i ka thënë së një gjë e tillë nuk varet nga ai.

http://kallxo.com/avokati-haxhi-cekaj-arrestohet-gjate-pauzes-se-seances/