Deputeti Albin Kurti gjatë një seance gjyqësore – Foto: KALLXO.com

Avokati: Albin Kurti u Mbajt Padrejtësisht në Burg

Avokati Tomë Gashi në emisionin “Click” të RTV21, tha se kryetari i ri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është mbajtur padrejtësisht në paraburgim për akuzat e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Shumica e të përndjekurve politik janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke përfshirë edhe kryetarin z. Albin Kurtin, i cili në mënyrë krejtësisht të padrejtë ka qëndruar për shkak të këtyre veprave penale për të cilat ai është akuzuar, ka qëndruar në paraburgim më tepër se një muaj”, tha Gashi.

Gazi i hedhur në Kuvend, sipas Gashit nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri, në bazë të asaj se çfarë është mbrojtur, shkruan rtv21.tv.

“Me hedhjen e gazit lotsjellës është mbrojtur sovraniteti i Republikës së Kosovës, është mbrojtur territori i Republikës së Kosovës… është mbrojtur formimi i Zajednicës, apo asociacionit të komunave me shumicë serbe, që Kosovën do ta shndërronte në një shtet jofunksional”, shtoi avokati.

Gashi tha se deputetët e Vetëvendosjes dhe deputetët që atëkohë ishin në opozitë, kanë vepruar drejtë.

Deklaratën video të avokatit Gashi mund ta ndiqni në këtë link. /21Media