Avokatët Kundërshtojnë Kërkesën e Prokurorit

Avokatet mbrojtës te personave të arrestuar sot në kuadër të operacionit të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it e kundërshtuan kërkesën e prokurorit për caktimin e masës se paraburgimit.

Prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccareli, ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës që gjashtë të arrestuarve të sotëm t’u caktohet masë paraburgimi. Kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatët e të arrestuarve.

Avokati Bajram Tmava, mbrojtës i te arrestuarit Sabedin Haxhiu, pas përfundimit të seancës deklaroi se e kundërshtoi propozimin e prokurorit për caktimin e masës se paraburgimit për të mbrojturin e tij.

“Prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit, mirëpo nuk ka ofruar ndonjë provë konkrete. Të gjitha provat janë hipotetike, të cilat nuk kanë mbështetje në dispozitat ligjore, andaj ne fuqishëm e kemi kundërshtuar një propozim të prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit pasi që kemi pasur argumente të forta posaçërisht për të mbrojturin tim Sabedin Haxhiu”, tha avokati Tmava

Propozimi i prokurorit për caktimin e masës se paraburgimit u kundërshtua edhe nga avokati Tahir Rrecaj, mbrojtës i të arrestuarit Nuhi Uka.

“Ne e kemi kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit pasi që e njëjta është e pabazuar për faktin se nuk janë plotësuar kushtet të cilat përkojnë më dispozitat e Kodit të Procedurës Penale”, tha Rrecaj.

Po ashtu, kërkesën e prokurorit e ka kundërshtuar edhe avokati Haxhi Millaku, mbrojtës i të arrestuarit Ilaz Syla.

“Çështja për të cilën dyshohet i mbrojturi im nuk ka të bëjë me dyshimin e bazuar. Ne i dhamë kundërshtimet tona ndaj kërkesës së prokurorit dhe kërkuam ndonjë masë alternativë”, tha avokati Millaku.