Avokatët e të Dënuarve për Parkun e Biznesit Paralajmërojnë Ankesë

Avokatët e katër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që u dënuan të hënën do të ankohen për vendimin e gjykatës.

Avokati i Nexhat Krasniqit, Bajram Tmava, e cilësoi skandaloz vendimin për dënimin e klientit të tij.

“Ne ende nuk e kemi marrë aktgjykimin, por sigurisht që do të apelojmë atë vendim, ky është një vendim skandaloz,” tha Tmava.

Ankesë paralajmëroi edhe Sadri Godanci, avokati i Sadri Hykosmanit.

“Unë do të apeloj vendimin për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljes së dispozitave të kodit penal, por jo edhe për lartësinë e dënimit. Klienti im është i pafajshëm dhe ai nuk është dashur të përfshihet fare në këtë rast,” tha Godanci.

Do të ankohet edhe Hashim Loshi, avokati i Adem Zogianit.

“Unë do të apeloj vendimin për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimin për dënimin, klienti im nuk e ndjen veten fajtor për veprën për të cilën akuzohet,” tha Loshi.

Nexhat Krasniqi, Adem Zogjani, Sadri Hykosmani dhe Safet Fazliu, u gjetën fajtorë për shpërdorim të detyrës zyrtare lidhur  me projektin e ndërtimit të Parkut të Biznesit në Drenas.

Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim efektiv të hënën,  ndërsa zyrtarët tjerë po atë ditë morën dënime të burgimit me  kusht.  Zogiani në gjatësinë prej 10 muajsh, Hykosmani 8 e Fazliu 7.

Hilmi Bellopojës biznesmenit që ndërtoi Parkun e Biznesit në Drenas iu vjetruan veprat penale keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi dhe dhënie ryshfeti.