Avokatët e Mlladiqit | Foto: Qendra e Medias

Avokatët e Mlladiqit Paralajmërojnë Mundësinë e Protestave

Mbrojtja e Ratko Mlladiqit tha se mund t’u bëjë thirrje njerëzve në Serbi të protestojnë në mbështetje të kërkesave që ish-lideri i Ushtrisë Serbe të Bosnjës të lirohet përkohësisht që të marrë trajtim mjekësor në Rusi.

Avokati i Mlladiqit, Branko Lukiq paralajmëroi mundësinë e protestave të mërkurën

“Ne kemi paraqitur një apel dhe organizimi i protestave është hapi i radhës, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër. Quhet të ruajmë një qasje të ligjshme ndaj Gjykatës së Hagës, por nëse është e nevojshme, shpresojmë të mund të nxjerrim njerëzit nëpër rrugë”, tha Llukiq.

Lukiq tha se protestat do të tregonin se Mlladiq ka mbështetje nga populli. Ai nuk specifikoi nëse ata do të presin që gjykata të vendosë për apelin para se t’u bëjnë thirrje njerëzve të dalin në rrugë.

Lukiq tha gjithashtu se mbrojtja po përpiqej të ndikonte në vendimin e gjykatës nëpërmjet “kanaleve diplomatike”, por nuk pranoi të shpjegohej më tej.

Avokati u shpreh se jeta e klientit të tij ishte në rrezik “çdo ditë” ndërsa ai trajtohej në paraburgim në Hagë.

Lukiq tha se procesi gjyqësor kundër Mlladiqit kishte mbaruar, prandaj nuk kishte asnjë arsye procedurale pse ai nuk duhej të lirohej për të shkuar në Rusi me një garanci që do të rikthehej përsëri të firmosur nga vetë Presidenti Vladimir Putin.

“Gjykata pranoi një garanci nga UNMIK kur liroi politikanin shqiptar të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili nuk ishte as sëmurë,” përfundoi ai.

Në kërkesën e tyre për Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës për ish-Jugosllavinë, ICTY, ekipi mbrojtës i Ratko Mlladiqit paraqiti një kërkesë që ai të lirohet “nën çdo kusht tjetër që Gjykata e Apelit e konsideron si të nevojshëm”.

Mlladiq, si ish-komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është paditur për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të myslimanëve dhe kroatëve duke arritur në shkallë gjenocidi në gjashtë komuna, për terrorizim të popullsisë së Sarajevës me bombardime të gjata dhe sulme me snajper, për pengmarrje të anëtarëve të Forcës Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara, UNPROFOR.

Gjyqi i tij filloi në vitin 2012 dhe ai mbahet në burg që prej majit të vitit 2011.

Vendimi në çështjen e Mlladiqit pritet të merret më vonë këtë vit.