Avni Mazrreku në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Avni Mazrreku Del Para Gjykatës

Në seancën fillestare të mbajtur pas afër 2 vjetësh që nga ngritja e aktakuzës, ish- Drejtori i kolegjit të ISPE- së, Avni Mazrreku, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për legalizim të përmbajtjes së rremë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Dren Baca, i akuzuari Mazrreku tha s endihet i pafajshëm në akuzat për të cilat ngarkohet.

“E ndjej veten të pafajshëm plotësisht”, tha Mazrreku.

Këtë deklarim e mbështeti edhe avokati i tij, Tomë Gashi.

Gjykatësja e vetme, Fatime Dërmaku, caktoi shqyrtimin e dytë në muajin prill ku do të parashtrohet kërkesa për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimi i provave.

Aktakuza ndaj Avni Mazrrekut ishte ngritur në vitin 2016, ndërsa tri javë më parë KALLXO.com kishte raportuar se gjykata nuk ka mbajtur asnjë seancë për këtë rast.

Aktakuza ‘e Fjetur’ Kundër Avni Mazrrekut

Në janar, një universitet gjerman i kishte revokuar Mazrrekut titullin e doktoratës pas një hetimi disamujor për dyshimet e ngritura se një pjesë e temës së doktoratës së Mazrrekut ishte plagjiaturë.

Avni Mazrrekut i Revokohet Titulli i Doktoratës për Shkak të Plagjiaturës

Çështja ndaj ish-pronarit të Kolegjit ISPE Avni Mazrrekut ishte nisur pas një kallëzimi penal të muajit janar 2015. Hetimet kishin përfunduar me aktakuzën e prokurores Gjejrone Alaj, në vitin 2016, për ‘legalizim të përmbajtjes së pavërtetë’ në hetimet e nisura ndaj drejtorit dhe pronarit të atëhershëm të Kolegjit ISPE, Avni Mazrreku, në vitin 2014. Mazrreku më nuk është pronar i Kolegjit ISPE. Aktakuza lidhet me procesin e akreditimit të kolegjit, përkatësisht pagesat të cilat duhej kryer në Agjencinë Kombëtare të Akreditimit.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Mazrreku akuzohet se e kishte vënë në lajthim Agjencionin e Akreditimit kur u kishte paraqitur dëshminë se ai kishte kryer pagesën prej 19,300 Euro.

Pagesa sipas prokurorisë nuk ishte bërë, ndërsa me këtë dëshmi-pagese aplikacioni i Kolegjit ISPE është futur në shqyrtim në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e cila është mbajtur më datën 1 korrik të vitit 2014.

Sipas dëshmitarëve të prokurorisë, pagesa e pretenduar “nuk ka shkuar asnjëherë në institucionin e AKA- së”. E Mazrreku, para prokurorit, është arsyetuar se kjo mund të ishte vetëm një gabim teknik.

“Pagesën në shumën prej 7.000 euro e kam kryer më 30.06.2014, më 14.11.2014 shumën prej 9.300 euro dhe me 26.11.2014 shumën prej 10.000 euro. Pagesën në shumë prej 19.300 euro e kam bërë unë përmes sistemit elektronik ‘E-banking’ nga llogaria e kolegjit ISPE në ‘Raiffeisen Bank’, ku shihet se ka mbetë në hapin e dytë e për t’u realizuar është dashtë të kalohet në hapin e tretë, ku kjo ka mundur të jetë një gabim teknik dhe vetë sistemi elektronik ‘E-banking’ i Raiffeisen Bank nuk e lejon këtë tip të pagesave. Edhe në rastin e dytë më datën 13.11.2014 është kryer në tre hapa pagesa dhe ky nuk është rasti i parë që kemi pasë probleme dhe është gabim teknike edhe rrjeti i Internetit mund të ndalë procesin e realizimit të pagesës”, kishte thënë Mazrreku në prokurori.