Avdullah Hoti Zyrtarisht Kandidat i LDK-së për Kryeministër

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, kjo e fundit e zyrtarizoi se kush do të kandidojë për Kryeministër të Kosovës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti do të jetë kandidati nga radhët e LDK-së për kryeministër.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa tha se pasi para disa ditësh është deklaruar se nuk do të kandidojë për kryeministër, pas bisedave me kryesinë e LDK-së kanë ardhur në përfundim se Hoti duhet të kandidojë për Kryeministër të Kosovës.

“Unë jam nisur nga vlerësimi se kandidatët nga kryeministër mund të jenë nënkryetaret e LDK-së dhe anëtarët e Qeverisë, kryetarët e komunave që janë treguar shumë të përgjegjshëm dhe të sukseseve gjatë kësaj periudhe. Në mes tyre i kam ofruar këtë mundësi z. Agim Veliu, Lutfi Hazirit, Haki Rugovës, e kam biseduar me Avudllah Hoti si ministër I financave”, tha Mustafa.

“Propozimi edhe i tyre edhe i imi është që Avdullah Hoti të jetë kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Kandidati i LDK-së, për Kryeministër, Avdullah Hoti tha se kandidaturën do ta marrë me përgjegjësi të madhe.

“E marr si përgjegjësi të jashtëzakonshme që duhet ta çoj përpara këtë që më është ofruar. Unë besoj në kauzën tonë të përbashkët për të çuar përpara kauzat e LDK-së”, tha Hoti.

Pas kandidaturës së shpallur, Mustafa u pyet nga gazetarët nëse do të ketë ndonjë koalicion por Mustafa nuk dha ndonjë emër me të cilin do të shkoj në koalicion.