Avdullah Hoti: Ka Dilema Mes PDK-së e AAK-së për Demarkacionin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së sontme të kryesisë së Kuvendit, tha se dy partnerët e koalicionit qeveritar, PDK dhe AAK, kanë dilema se çka të votojnë në seancën e së premtes kur është caktuar të hedhet në votim përfundimisht marrëveshja për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Duket se ka dilema mes koalicionit qeverisës, PDK-së dhe AAK-së, se çfarë të ratifikohet në Kuvend: a është kjo deklarata e dy presidentëve pjesë e marrëveshjes apo jo. E kemi parë që për nesër është caktuar edhe mbledhja e qeverisë për të shqyrtuar aneks- marrëveshjen gjë që hap dilema të panevojshme për deputetët. Marrëveshja e vitit 2015 është arritur në bazë të të gjitha procedurave. Për neve është e qartë që marrëveshja që është e nënshkruar”, tha Hoti.

Ai tha se për caktimin e datës së seancës së jashtëzakonshme nuk ka pasur kuorum, por vendimi është marrë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Nuk kishte kuorum për ta caktuar seancën por kryetari i Kuvendit vendosi që në bazë të drejtës kushtetuese të tij ta caktojë seancën të dielën në orën 18 për ta votuar marrëveshjen e arritur në vitin 2015. Presim që deputetët ta shqyrtojnë dhe ta votojnë ose jo marrëveshjen”, tha Avdullah Hoti.