Avdullah Hoti: 100 Ditë Mashtrim i Opinionit nga Qeveria Haradinaj

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kritikoi qeverinë e kryeministrit Ramush Haradinajt në shqyrtimin e raportit të punës 100 ditëshe të kësaj qeverie gjatë një debati në parlament.

Hoti tha para deputetëve se puna e qeverisë Haradinaj gjatë 100 ditëve “reflekton mungesën e kompetencës për të qeverisur”.

Ai tha se demarkacioni, temë për të cilën Haradinaj kishte protestuar gjatë kohës sa ishte opozitë “doli që ka qenë kauzë e rrejshme duke lënë qytetarët qe tri vjet të izoluar”.

“Në raport ka tendenca për mashtrim të opinionit, 90 % të punëve janë të qeverisë së kaluar siç është ajo për Termocentralin ‘Kosova e re’. E arritur e qeverisur është edhe nxjerrja e akteve ligjore nga komunat”, tha Hoti.

“Asnjëherë prej pasluftës nuk ka pasur më shumë mllef ndër qytetarët… Ftoj të bëhemi të gjithë bashkë të marrim disa vendime të mëdha siç është ratifikimi i demarkacionit dhe ta rrëzojmë këtë qeveri… të bëhemi bashkë që ta kthejmë normalitetin në vend”, tha Hoti.

“Raporti për 100 ditët e qeverisjes, u dorëzu në kuvend me popmpozitet, kemi pritë që ky debat të kërkohej nga vet Kryeministrit, por ai po i ikë përballjes me deputetë por praktikat e zakonshme parlamentare po shihen se e kanë të pamundur të ballafaqojnë kryeministrin me deputetë”, tha ai.