Raporti i Demokracisë në Zhvillim | Foto: KALLXO.com

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës më Pak i Pavarur

Sipas raportit “Sa të Pavarura janë Autoritetet Rregullatore në Kosovë?” i përgatitur nga “Demokracia në Zhvillim” me mbështetjen e organizatës “Henrich Boll Stiftung” ka dalë se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është më pak i pavaruri.

Nga 9 rregullatorë sa janë gjithsej në Kosovë në këtë raport janë analizuar vetëm 4 prej tyre, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Autoriteti Rregullator i Hekurudhave, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit dhe Zyra e Rregullatorit për Energji.

Sipas vlerësimeve të këtij raporti, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është më pak i pavaruri krahasuar me tre autoritetet e tjera të cilat janë analizuar sa i përket emërimeve dhe mandatit.

“Ky tregues nënkupton që emërimi i anëtarëve të bordit ose të komisionit të bazohet në merita dhe kritere profesionale. Asnjë ndërhyrje nuk duhet të ushtrohet në procesin e përzgjedhjes”, shkruhet në raportin e organizatës “Demokracia për Zhvillim”.

Gjetjet kryesore të këtij raporti tregojnë se autoritetet rregullatore i nënshtrohen kontrollit politik kur është fjala për emërimin e anëtarëve të bordit.

“Me urdhër të  partive politike shpesh bordet janë të paplota pasi që partive u duhet më shumë kohë për llogaritjen dhe faktorizimin e interesave të tyre”, thuhet në raport.

Visar Sutaj, autor i këtij hulumtimi, ka thënë se nëse një rregullator nuk e ka bordin e pavarur, kjo ndikon direkt në procesin e vendimmarrjes.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës sipas raportit është më pak i pavarur edhe në aspektin e vendimmarrjes. Më mirë se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës qëndron Autoriteti Rregullator i Hekurudhave.

Ndërsa nga katër autoritetet e analizuara, Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit dhe Zyra e Rregullatorit për Energji janë vlerësuar si autoritete më të pavarura në vendimmarrje.

Kriteret për përcaktimin e nivelit të pavarësisë në vendimmarrjen e autoriteteve rregullatore janë bazuar në hulumtimin në terren dhe në raportet për vendin duke përfshirë Raportin e Progresit të Komisionit Europian dhe raportet e matjes dhe të monitorimit të OECD-së.

Nenad Sebek nga organizata “Heinrich Boll Stiftung” e cila e ka financuar këtë raport, ka thënë se vetë fakti se është bërë hulumtim për këtë çështje tregon se sa të rëndësishëm janë trupat rregullativë.

Ai gjithashtu ka shtuar se ky raport është një lloj diagnoze e gjendjes.

“Ky raport i bën thirrje shoqërisë civile që t’i çojë përpara të gjeturat” deklaroi Sebek.

Sa i përket pavarësisë financiare dhe organizative, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Autoriteti Rregullator i Hekurudhave janë më pak të pavarura, në krahasim me Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit dhe Zyrën e Rregullatorit për Energji që sipas raportit kanë dalë më të pavarura se dy të parat.

Pavarësia financiare dhe organizative është tregues që autoritetit rregullator i janë dhënë fonde të mjaftueshme për të kryer funksionet e tij dhe nuk mund të kërcënohet nga qeveria, se qeveria do t’ia zvogëlojë ose tërheqë fondet në mënyrë arbitrare.

“Në praktikë autoritetet rregullatore nuk janë të pavarura në aspektin e autonomisë financiare dhe organizative. Në këtë drejtim, ekzistojnë katër dimensione për të cilat autoritetet rregullatore mbahen përgjegjëse. Ato përfshijnë burimet e financimit, kontrollin e buxhetit dhe burimet njerëzore”, thuhet në raportin “Sa të Pavarura janë Autoritetet Rregullatore në Kosovë?”.

Disa prej rekomandimeve të këtij raporti për të cilat u bë thirrje që të çohen përpara nga shoqëria civile janë: që emërimi i anëtarëve të bordit të autoriteteve rregullatore duhet të rregullohet në mënyrë kolektive dhe asnjë post mos të mbetet i paplotësuar deri në emërimin e anëtarit të ri, legjislatura të ndryshojë Rregulloren e Punës për emërimin e anëtarëve të bordit të cilët nuk kanë dështuar në përpjekjen e parë për t’u votuar dhe aprovuar nga deputetët e Kuvendit, gjyqësori të rrisë kapacitetin e vet dhe të bëhet më efektiv në zgjidhjen e kontesteve etj.

Kreshnik Gashi nga Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) gjatë diskutimit tha se është në pajtim  me rekomandimin numër një në këtë raport- zgjedhjen kolektive në borde që pastaj mos të ketë zbrazëtira.

Me këtë rekomandim u pajtua edhe Sala Berisha-Shala nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, ajo gjithashtu tha se Kuvendi përveç që ka funksion si ligjvënës ka për detyrë edhe mbikëqyrjen e autoriteteve rregullatore.