Stacioni i Autobusëve në Pejë - Foto: KALLXO.com

Autobusëve u Ndalohet t’i Çojnë Nxënësit te Shkolla, Ankohen Prindërit

Prindërit e nxënësve nga rrethi i Pejës po ankohen ndaj vendimit të Komunës, e cila ua ka ndaluar autobusëve t’i çojnë fëmijët e tyre nxënës deri te dy shkollat e mesme.

Pasi Komuna e Pejës ua ndaloi autobusëve qarkullimin në zonën e qytetit, nxënësit duhet ecin këmbë nga Stacioni i Autobusëve deri te Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe Gjimnazi.

Prindërit e nxënësve që vijnë nga rajoni i Klinës, Istogut, Podgurit dhe Baranit nuk po pajtohen që nxënësit të shkojnë këmbë nga stacioni i autobusëve deri në shkolla.

Prindërit thonë se prej kur autobusëve iu ndalua të shkojnë deri te shkollat, fëmijët po vonohen në orën e parë të mësimit.

“Nxënësit zakonisht orën e parë s’ka shancë me nxanë. Profesorët thirrin, problemi është i gatshëm. U kanë shumë në rregull deri tash i kanë çu nalt, s’kemi pas probleme. Tash janë përmbi 70 nxënës nga Jabllanica e Madhe, Radavci, Novosella që kanë probleme me mësim”, tha Zekaj.

Edhe Banush Kabashi, i cili i ka dy vajza në shkollë të mesme, ka të njëjtën ankesë. Ai tha se nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje do t’i ndalë vajzat nga shkolla.

“I kam dy çika. Ka 50 centë ju merr (autobusi) prej Gurrakocit deri në Pejë. Prej Pejës e deri në shkollë i ka gratis, nëse kështu vazhdon dhe ndërpriten këto, më duhet mi ndalë fëmijët prej shkolle”, u shpreh Kabashi

Për shqetësimet e banorëve, Afrim Smakaj, nga fshatrat e Lugut të Leshanit thotë ta kenë njoftuar edhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin.

“Jemi kanë edhe tek kryetari drejtpërsëdrejti si fshat, kemi bërë atje ankesa te kryetari edhe na ka premtu se diçka ka mu rregullu, por të njëjtën kohë kurgjo nuk po merret”, tha ai.

Për ndalesën nga Komuna dhe Policia për t’i dërguar nxënësit te shkolla ankohen edhe kompanitë e autobusëve që më herët e kishin kryer këtë shërbim.

Azem Tuzi, përfaqësuesi i kompanive të autobusëve tha për KALLXO.com se në vitin 2016 kanë pasur leje nga Komuna dhe se nga Stacioni deri pranë shkollave nxënësit i transportonin falas.

“Për hir që këta nxënës vinë prej Istogut deri në stacionin e autobusëve, edhe prej Klinës që vinë deri në stacion,ne ata për që mos me shku nëpër shi edhe kushte atmosferike jo të mira, që mos të vonohen në orën e mësimit ne e kemi bërë këtë në mënyrë humane”, tha Tuzi.

Tuzi tregon se leja u është revokuar në kohën e fushatës, por u është dhënë përsëri, për t’iu marrë pas disa ditëve.

Azem Tuzi dyshon se po përgatitet terreni që të kontraktohet ndonjë operator, i cili do t’i bartë nxënësit nga Stacioni deri te shkolla, e kjo, sipas tij, do të ketë kosto të dyfishtë për nxënësit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, inspektori i Komunikacionit në Komunën e Pejës, Pajazit Shala, tha se janë të njoftuar për shqetësimet e ngritura dhe për telashet e nxënësve.

“Megjithatë në komunën e Pejës nuk ka transport të organizuar për nxënësit deri me tani dhe nuk ka pas asnjëherë. Kjo do ishte përgjigje edhe ndaj operatorëve se nuk ka vendim për m’i ndalu ata nëse kanë operuar deri tash për arsye se nuk kanë pasur leje asnjëherë më herët. Ndalesa është bërë sepse nuk kanë pasur leje veprimi”, tha Shala.

Pajazit Shala tregoi se në Komunë po zhvillohen bisedime dhe se së shpejti do të gjendet një zgjidhje.