Autobusët e rinj të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Autobusët e Rinj ia Bëjnë ‘Sefte’ Rrugëve të Prishtinës

Qytetarët e kryeqytetit kanë mundur sot të përjetojnë udhëtimin komod që e ofrojnë autobusët e rinj të blerë nga Komuna e Prishtinës.

15 autobusët e rinj, nga 51 sa i ka blerë Komuna përmes një kredie të marrë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), kanë filluar sot transportimin e qytetarëve.

Ata kanë ardhur më 30 dhjetor 2016.

Gjatë një ceremonie me rastin e vënies në funksion të këtyre autobusëve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se këta autobusë nuk do të mbulojnë gjithë nevojat e trafikut urban.

“Do t’i kemi 51 autobusë të cilët nuk do ta mbulojnë të gjithë transportin publik në Prishtinë. Jena mundu me gjetë kur ka ble Prishtina për herë të fundit autobusë të rinj, po thojnë që janë vitet e ‘80-ta, por s’po mund t’i gjejnë kur”, tha Ahmeti.

Ndërsa, ministri i Financave, Abdullah Hoti, u zotua se autobusë të rinj do të kontraktohen edhe për komuna të tjera të cilat kanë nevojë.

“Ky projekt do të replikohet edhe në qendra të tjera të  Kosovës, në katër-pesë qendra të Kosovës. Duke qenë se kemi gatishmërinë e BERZh-it për të hyrë në këtë projekt ne do të identifikojmë qendrat kryesore ku ka nevojë për autobusë të tillë modernë”, tha Hoti.

Kurse, zëvendësdrejtoresha në Departamenti për Infrastrukturë Komunale dhe Mjedisore në BERZh, Lin O’Grady tha se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës.

“Pritjet janë se kjo do të lehtësojë financime të tjera të BERZh përtej projekteve të transportit”, tha O’Grady.