Auto-Shkollat e Rajonit të Pejës Kundër Poligonit

Dhjetëra auto-shkolla të rajonit të Pejës kanë bojkotuar punën në shenjë proteste ndaj vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës, e cila ka vendosur që kandidatët gjatë provimit për patentë shofer të testohen edhe në poligon.

Kryetari i Shoqatës së Auto-shkollave në rajonin e Pejës, Tahir Hamzaj, tha për KALLXO.com se vendimi i Ministrisë është i paarsyeshëm.

“Arsyeja është se poligoni është plotësisht i paarsyeshëm edhe qe 15 vite nuk është zbatuar poligoni. Kryesisht fajtor është Ministria, ju ka tek dikujt për mi shty poligonin, e poligoni si shkak kryesor është se vjen deri tek dëmtimi i mjeteve, amortizimi, pastaj edhe tek kandidatët”, tha ai për KALLXO.com

Hamzaj tha së të gjitha pikat që kërkohen në poligon praktikohen gjatë mbajtjes së orëve dhe provimit të vozitjes.

“Në fund të fundit qeto pika çka kërkohen në poligon të gjitha zbatohen edhe praktikohen në rrugë edhe gjatë mbajtjes së provimit edhe gjatë mbajtjes së orëve”, tha Hamzaj.

Tahir Hamzaj tha se poligoni në asnjërën prej shteteve të Bashkimit Europian nuk është kusht për kalimin e provimit për patentë shofer.

Vendimi për bojkotimin e punës, sipas Hamzajt,është marrë nga Federata e Auto-Shkollave të Kosovës dhe do të zgjasë deri në revokimin e vendimit nga Ministria.

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, mirëpo ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve.