Ndotja e ajrit Prishtine, 30 janar 2018 - Foto: Atdhe Mulla

Auditori: Këqyrni Raportet e Auditimit për Mjedisin

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA) e ka ndarë shqetësimin me qytetarë për ndotjen e ajrit.

Përmes njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të saj u ka bërë thirrje institucioneve që të rrisin qëndrueshmen e masave për mbrojtjen e mjedisit duke përmbushur edhe rekomandimet e dala nga raportet e auditimit.

ZKA-ja gjithashtu bën të ditur se është  pjesë e auditimit të përbashkët europian për cilësinë e ajrit.

“Nisur nga rritja e shqetësimit publik dhe veprimet e fundit të ndërmarra nga institucionet kompetente, e sjellim në vëmendjen e publikut dhe atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie publike që Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2016, ka publikuar raportin e auditimit të performancës ‘Qëndrueshmëria e Masave Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Auditori kishte  rekomanduar që të rishikohen masat mbi një analizë reale dhe të arritshme.

“… Rekomandimi kryesor i dhënë nё kёtё auditim dhe i cili duhej të përmbushej brenda një viti ishte: ‘Të rishikohen masat e përcaktuara në Planin Kombëtar për Veprim në Mjedis mbi një analizë reale, duke përcaktuar objektiva reale dhe të arritshme’”, tregon ZKA-ja.

Kreu i këtij institucioni Besnik Osmani, sipas njoftimit, e konsideron shqetësues faktin që Ministria e Mjedisit nuk ka vepruar në bazë të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Është shqetësues fakti që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si bartës kryesor i përgjegjësisë, nuk ka përgatitur planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna. Kjo tregon për mungesën e vullnetit dhe përgjegjësisë institucionale që shqetësimet lidhur me mjedisin të adresohen me kohë”, vijon njoftimi.

Sipas njoftimit, ZKA-ja në të kaluarën ka kryer disa auditime, pas të cilave ka ngritur çështje për t’u adresuar me qëllim përmirësimin e mëtutjeshëm të situatës në lidhje me ndotjen.

Zyra Kombëtare e Auditimit është pjesë e auditimit të përbashkët europian “Cilësia e Ajrit” i iniciuar nga EUROSAI dhe i udhëhequr nga Institucioni Suprem i Auditimit i Holandës dhe Polonisë.

ZKA tregon objektivat e këtij auditimi për cilësinë e ajrit.

“Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i masave të ndërmarra nga shtetet pjesëmarrëse për të adresuar problemin e ndotjes së ajrit. Me fokus do të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me kornizën legjislative, institucionale si dhe monitorimin, zbatimin dhe raportimin e gjendjes së cilësisë së ajrit”, thuhet në njoftim.

Zyra Kombëtare e Auditimit së shpejti pritet ta publikojë Raportin e Auditimit për Cilësinë e Ajrit.