Auditori Gjen Parregullsi për MASHT-in e Udhëhequr nga Arsim Bajrami

Përfaqësues të Auditorit të Përgjithshëm kanë gjetur një sërë parregullsish në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për vitin 2016, në kohën që ky institucion drejtohej nga  ish ministri, Arsim Bajrami.

Këto parregullsi, i shpalosi zyrtari i Auditorit të Përgjithshëm, Bujar Bajraktari të premten para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike që bëri shqyrtimin e Raportit të Auditimit për MASHT-in.

“Pasuritë kapitale janë mbivlerësuar për rreth 13 milionë euro. Kjo ka ndodhur për faktin që shkollat e ndërtuara nga MASHT, pas finalizimit nuk ishin transferuar te komunat që janë edhe pronarë të atyre shkollave”, tha Bajraktari derisa po shpaloste të gjeturat e Auditorit për MASHT-in.

Bajraktari tha se në MASHT ka mungesë të angazhimit të personave në pozitat kyçe që po mbahen nga ushtrues të detyrës.

Sipas Bajraktarit, Auditori ka identifikuar dobësi edhe në menaxhimin e investimeve kapitale duke treguar se në vitin 2016 MASHT kishte buxhetuar dhe shpenzuar mbi 9 milionë euro për tekste shkollore, mjete këto që ishte trajtuar gabimisht nga investimet kapitale në vend se të trajtohen nga kategoria e Subvencioneve dhe Transfereve.

Gjetjet tjera të Auditorit të Përgjithshëm për MASHT-in të cilat duhet të trajtohen me prioritet të lartë janë: planifikimi i buxhetit, pagesa e avancit në kundërshtim me ligjin e buxhetit, menaxhimi i pagave të profesorëve, vazhdimi i kontratave kornizë, vonesa në realizimin e projekteve kapitale, menaxhimi i kontratave dhe pranimi  jo i rregullt i mallrave.

I pranishëm në këtë komision, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i cili tha se po ndihet i hendikepuar të flasë për Raportin e Auditimit për Vitin 2016 meqë në atë kohë nuk ka drejtuar MASHT-in.

“ I takon një raporti që unë nuk kam qenë si ministër. Nuk po e them këtë për t’u arsyetuar, por për t’u thënë se jemi të hendikepuar të flasim për këtë raport”, tha Bytyqi.

Ai tregoi se aktualisht në MASHT janë kryer 10 rekomandime të Auditorit të Përgjithshëm, 9 janë në proces, ndërsa 2 nuk janë plotësuar akoma.

E anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, Andin Hoti, tha se ky komision ka disa rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“ MASHT-i duhet të hartojë planin e veprimit për gjetjet e auditorit, duke caktuar personat përgjegjës dhe afatet kohore për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e Auditorit të Jashtëm për vitin 2016. Për këtë brenda një muaji të njoftojë Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave”, tha Hoti.

Si rekomandim tjetër sipas Hotit është që MASHT-i të sigurojë kompensimin e pagave dhe mëditjeve për stafin akademik të universiteteve publike.

“ Gjatë auditimit të pagave të stafit akademik në gjashtë universitete publike, është konstatuar se në shumë raste nuk janë zbatuar në efektshmëri rregulloret për ta ardhurat personale”, tha Hoti.

Dy rekomandimet e tjera për MASHT-in kishin të bëjnë me librat shkollorë dhe me vlerësimin e pasurive kapitale dhe jokapitale të këtij institucioni.