Auditori: AQP rrezikon të humbë miliona, ani pse ekziston për kursimin e parave

Auditori thotë që Agjencia Qendrore e Prokurimit rrezikon të humbë 2.6 milionë euro, ani pse ky institucion ishte themeluar për të kursyer paratë e shtetit.

Në Raportin e Auditimit të Performancës për Vlerën për Para në Prokurimet e Centralizuara, thuhet se për shkak që një numër i madh i autoriteteve kontraktuese janë të përfshira në kontratat e centralizuara dhe për shkak të vlerës së madhe të kontratave të centralizuara, është shumë e rëndësishme që ky aktivitet të sigurojë vlerën për para, meqë siç thotë raporti, një kursim sado i vogël në kontrata të mëdha është vlerë e madhe monetare që mund të shfrytëzohet pastaj për qëllime tjera.

“Edhe pse Agjencia Qendrore e Prokurimit është themeluar për të kursyer paratë e buxhetit të Kosovës përmes blerjeve me shumicë, raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit tregon se ekziston rreziku që furnitorët të paguhen pa dorëzuar mallra. Gjithashtu në disa raste çmimet e AQP-së ishin më të larta se çmimet individuale të institucioneve publike”, thuhet në raportin e auditorit.

Raporti thotë se fushëveprimi i auditimit ka përfshirë AQP-në si përgjegjëse për zbatimin e procedurave të centralizuara të prokurimit. Më konkretisht, auditimi ka përfshirë tetë kontrata të nënshkruara gjatë vitit 2015-16 nga gjithsej 13.

Sipas auditorit, këto tetë kontrata përbëjnë 56% të vlerës totale të kontraktuar deri fund të vitit 2016. Bëhet fjalë për furnizimin me karburante, letër, material zyrtar, goma, dru, thëngjill, mazut dhe pelet.

“Raporti i performancës tregon se AQP nuk kishte pasur informata të mjaftueshme për të marrë vendim lidhur me sasinë e nevojshme të kontratës. Në fakt vendimi është marrë duke u bazuar në informatat e ofruara nga 80 për qind e këtyre institucioneve, pjesa tjetër ishte vendosur me hamendje”.

Raporti ka gjetur raste të mallrave që kushtojnë më shtrenjtë kur blihen nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, sesa nga institucionet në mënyrë individuale.

“Raporti tregon se në shumicën e rasteve AQP-ja nuk i kishte analizuar kontratat individuale të institucioneve për të parë çmimet me të cilat ato furnizoheshin. Prandaj, për shembull në rastin e letrës, edhe Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës edhe Dogana kishin paguar çmime më të ulëta para se të përfshiheshin në kontratë të centralizuar, ndërsa në rastin e karburanteve së paku katër entitete kishin çmime më tė ulëta se AQP-ja.

Vlera e parashikuar e kontratës është e paqartë se si është llogaritur, thotë raporti, i cili shton se AQP-ja nuk kishte përdorur ndonjë çmim referent kundrejt të cilit do t’i krahasonte çmimet e ofertave.

“Sipas intervistave të zhvilluara me zyrtarët e AQP-së, vlera e parashikuar e kontratës është llogaritur duke u bazuar në vlerën që autoritetet kontraktuese e kishin parashikuar vetë, pra shumën e vlerave të parashikuara të autoriteteve kontraktuese. Kjo metodë e llogaritjes së vlerës së parashikuar të kontratës është e gabuar”.

Meqë kontratat nuk ishin monitoruar si duhet dhe nuk kishte pasur masa parandaluese, furnitorët mund të kërkojnë kompensim prej 2.6 milionë euro për mallrat që janë kontraktuar, por nuk janë porositur. Raportimi i rrallë dhe analizimi edhe më i rrallë i këtyre raporteve ka rezultuar me mungesë të informatave lidhur me progresin e kontratave dhe ka çuar në mungesë të masave korrigjuese.

Auditimi i ka vlerësuar 8 nga 15 kontratat apo 56% të vlerës së kontraktuar nga AQP-ja gjatë viteve 2015 dhe 2016.