Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike | Foto: KALLXO.com

Auditorët-Shërbyes Civilë apo me Status të Veçantë?

Kuvendit i mbetet të vendosë nëse pagat e auditorëve të brendshëm do të rregullohen me Ligjin për Shërbyesit Civilë, apo do të kenë status të veçantë.

Projektligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike së bashku me dy propozime të ndryshme sa u përket pagave të auditorëve të brendshëm i shkon Kuvendit.

Në këtë përfundim erdhën anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë shqyrtimit të projektligjit.

Kreu i Komisionit, Faton Topalli, tha se propozimi që i është shtuar këtij projektligji është që pagat e auditorëve të brendshëm të kenë status të veçantë.

“Paga e drejtorit të Njësisë Qendrore Harmonizuese, pagat e drejtorëve të Njësive të Auditimit të Brendshëm, stafit të Njësisë Qendrore Harmonizuese dhe auditorëve të brendshëm të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe të jenë të harmonizuar me pagat e punëtorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit”, tha Topalli.

Në anën tjetër, propozimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa dhënë më parë sipas Topallit konstaton se pagat e auditorëve të brendshëm dhe njësive harmonizuese qendrore rregullohen me Ligjin për Shërbyesit Civilë.

“Pagat e drejtorit të Njësisë Qendrore Harmonizuese dhe paga e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm rregullohen në pajtim me legjislacionin e shërbimit civil është njëra pikë dhe pika tjetër ishin paga e udhëheqësit të Njësisë Qendrore Harmonizuese për auditim të brendshëm, paga e udhëheqësit për menaxhim financiar dhe kontroll, paga e stafit të Njësisë Qendrore Harmonizuese dhe paga e auditorëve të brendshëm rregullohet në pajtim me legjislacionin e shërbimit civil”, citoi kryetari Topalli.

Anëtari i komisionit Ali Sadriu tha se Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka dhënë propozimin më të mirë për pagat e auditorëve.

“Mendoj se ne kemi dhënë propozimin më të mirë dhe unë mendoj se duhet të shkojë në Kuvend dhe në seancë të angazhohemi nëpër grupe parlamentare që shkojnë dhe të miratohet ashtu siç e kemi dhënë ne. Amendamenti i Komisionit për Buxhet dhe Financa shkon pa përkrahjen e komisionit funksional”, tha Sadriu.

Edhe anëtarët tjerë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike u pajtuan që Kuvendi të vendosë në lidhje me dy propozimet për pagat e auditorëve.