Ilustrimi: ATK

ATK Ngrit Kallëzime Penale Ndaj Subjekteve të Lojërave të Fatit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) bëri të ditur sot se ka ngritur disa kallëzime penale për subjekte të lojërave të fatit në komunën e Deçanit, pas aktiviteteve inspektuese në këtë komunë.

Kallëzimet penale pasojnë masat e gjobave, mbylljeve të lokaleve dhe konfiskimeve për disa subjekte.

Në një komunikatë të lëshuar sot, ATK tha se gjatë një aksioni dy ditësh në këtë komunë, janë mbyllur tri subjekte të lojërave të fatit, për të cilat janë lëshuar gjoba në vlerë 20,000 euro. Po ashtu, në këtë lokacion janë konfiskuar edhe 5 aparate (për veprimtarinë e  lojërave te fatit). Inspektoret kanë hasur edhe në lokale të pa identifikuara tek të cilat janë vendosur shiritat e mbylljes.

“Aksioni në këtë komunë do të vazhdojë edhe më tutje, në mënyrë që të verifikohen të gjitha lokalet ku dyshohet se janë duke ushtruar veprimtarin e tyre pa licencë”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, në një aksion tjetër i cili është zhvilluar më 18 shtator në lagjen Kalabria në Prishtinë janë mbyllur tri lokale të cilat nuk e kanë respektuar distancën 500 metra larg institucioneve edukativo-arsimore, fetare e komunale. Për këto subjekte janë lëshuar gjoba në vlerë 9,000 euro.

Administrata Tatimore e Kosovës i bën thirrje të gjitha bizneseve që ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit të respektojnë ligjin,  pasi që në të kundërtën do të merren masat konform dispozitave ligjore.

“ATK, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800”, thuhet në komunikatën e ATK-së.